E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, 140 të rinj në akuzë, nuk shkuan në ushtri

 

FIER - Refuzimi për kryerjen e shërbimit ushtarak të detyruar si dhe dezertimi nga radhët e ushtrisë është bërë shkak për ndjekjen penale ndaj rreth 140 të rinjve. Edhe pse në fund të vitit 2009 i jepet drita jeshile ushtrisë profesioniste, duke hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak, përsëri duket se disa rekrutë do të mbeten peng i ligjit të vjetër. Numri i të ndjekurve penalisht bëhet i ditur nga kreu i mobilizim-rekrutimit në Fier Ibrahim Hasani, sipas të cilit personat e përfshirë në këtë listë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos iu përgjigjur thirrjes për mobilizim në ushtri. Sipas burimeve nga Prokuroria, mësohet se kërkesa dhe fletëthirrja për personat në fjalë ka shkuar disa herë në banesat e tyre por ata nuk janë përgjigjur. "Të paktën 140 persona në rang qarku i janë dhënë Prokurorisë Ushtarake në Vlorë për ndjekje penale për shkak të veprës penale të refuzimit dhe dezertimit të ushtrisë. Ne nuk kemi asnjë të dhënë se si do të veprohet me këta të rinj kur dihet që tashmë po vijmë drejt ushtrisë profesioniste dhe kërkohen djem me arsim të mesëm, djem me përkushtim për detyrën dhe me aftësi të plota shëndetësore, por tashmë ky është ligi dhe këta të rinj kanë vepruar në kundërshtim me të", ka vijuar shefi i degës së Mobilizimit në Fier. Sipas tij, këta të rinj janë akumuluar si numër që nga muaji janar i këtij viti e në vazhdim, ndërsa vetëm 10% i përkasin veprës penale të dezertimit. Ndërkohë, sipas shefit të mobilizimit ushtarak në Fier, Ibrahim Hasani tashmë ka nisur mobilizimi i ushtarëve të rinj për në Gardën e Republikës dhe pikërisht për këtë të fundit ndjehet dëshira e të rinjve për t'u inkuadruar në këto forca, pasi për shumë të rinj mes dëshirës ekziston edhe interesi monetar që ofron ky shërbim. Për këta të rinj të përfshirë në këtë listë si persona që nuk kanë shlyer shërbimin duke kryer një penale, duket se nuk ka tjetër mundësi vetëm të shlyejnë "krimin" me dënim ose të paguajnë tarifën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak me një shumë prej 300 mijë lekësh. Miratimi i ligjit për shërbimin ushtarak profesionist ka bërë që shumë të rinj dhe familjarë të tyre ta keqinterpretojnë atë duke menduar se ushtria do të falej. Ky interpretim duket se ka nxitur mos përgjigjen ndaj thirrjes për mobilizim, çka ka sjellë edhe proceset penale ndaj të rinjve në moshën e ushtrisë.             m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›