Vapa, hapen dyert e burgjeve
Armand Bajrami
Drejtoria e Për-gjithshme e Bur-gjeve vendos ha-pjen e dyerve të qelive në burgjet dhe paraburgimet e vendit përgjatë gjithë sezonit veror. Bëhet fjalë për hapjen e kontrolluar të qelive me qëllim ajrimin e tyre, për shkak të temperaturave të larta të stinës së nxehtë. Urdhri është firmosur pak ditë më parë dhe ka filluar të zbatohet nga institucionet e vuajtjes së dënimit që prej datës 1 qershor, ndërsa do të vijojë të zbatohet deri në datën 1 shtator. Lajmi për shtimin e ajrimit të qelive u bë i ditur dje nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Urdhri i dalë pak ditë më parë përcakton edhe mënyrën se si do të bëhet shpërndarja e orëve të ajrimit për seksione të ndryshme të burgut. Oraret do të jenë në përshtatje me standardet e sigurisë së nevojshme në institucione të tilla.
URDHRI
Urdhri, që do t'u shtojë "orët e oksigjenit" të burgosurve dhe të paraburgosurve në burgjet dhe paraburgimet e vendit u firmos pak ditë më parë. "Dyert e qelive do të hapen nga data 1 qershor deri në datën 1 shtator", u shprehën burimet. Veprimet do të ndërmerren konform rregullave dhe kushteve të sigurisë, për të parandaluar dhe shmangur çdo të papritur. Bëhet e ditur se hapja e dyerve të qelive do të bëhet vetëm gjatë orëve të ditës, në orare të përcaktuara më parë. Procesi i hapjes së qelive do të zhvillohet vetëm për një seksion të burgut apo paraburgimit në një kohë të vetme. Sipas burimeve, oraret e ajrosjes do të jenë në kohë të ndryshme për seksione të ndryshme. Mësohet se kjo bëhet për të shmangur numrin e madh të së paraburgosurve ose të burgosurve "të lirë", për të shmangur konflikte që mund të lindin mes tyre. Urdhri i miratuar së fundmi është zbatuar edhe në sezonin e kaluar veror.
KERKESA
"Të mundësohet që dyert e qelive të lihen të hapura nga data 1 qershor deri me 1 shtator, pasi nxehtësia brenda qelive nuk durohet", ishte një nga pikat e listën së kërkesave të paraburgosurve të burgut 313 në Tiranë pak ditë më parë. Duke refuzuar ushqimin për disa ditë me radhë të paraburgosurit kërkonin kushte më të mira dhe më tepër kohë ajrimi. Mungesa e ajrimit ka qenë disa herë objekt i protestave apo grevave në burgje të ndryshme të vendit. Përveç ambienteve të pa ajrosura mirë, problemi thellohet edhe më tej për shkak të mbipopullimit, që haset në institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri.