Spanjollët pranga në Laç të kërkuarit
Një operacion spektakolar për kapjen e një personi të shumëkërkuar nga policia spanjolle dhe të dyshuar për vrasjen e një polici në Shqipëri. Forcat e policisë së Lezhës, specialet e RENEA-s, Interpoli dhe mes tyre agjentë të policisë nga gadishulli Iberik zbarkuan në qytetin e Laçit për të arrestuar 32-vjeçarin Astrit Bushi. Operacioni u kodua "Arbusto", (shkurre) duke u finalizuar me prangosjen pa asnjë rezistencë të Bushit. Ai ka një numër të madh precedentësh penalë në të dy vendet, madje i akuzuar për vrasjen e punonjësit të policisë, Altin Balozi 8 vjet më parë. Dosje kjo e pushuar nga gjykata për mungesë provash dhe që pritet të rihetohet. Mësohet se Astrit Bushi ishte person i njohur për policinë spanjolle dhe nga media e këtij vendi, jo vetëm për veprat e kryera, por që u përmbyllën me një "arratisje" të tij pas një gabimi në sallën e gjyqit. Prej në shumë se 2 muajsh Bushi ishte kthyer në Shqipëri, duke qëndruar në shtëpinë e tij, në lagjen 6 të Laçit, ku dhe u arrestua në orët e para të ditës së djeshme, për qëllime ekstradimi.
Arrestimi
Burime zyrtare të informacionit bëjnë të ditur se Astrit Bushi është arrestuar rreth orës 05.00 të mëngjesit, nga një bashkëpunim i disa sektorëve të policisë shqiptare dhe shërbimit policor "Guardia Civil të Mbretërisë së Spanjës". Drejtësia spanjolle kishte shpallur Astrit Bushin në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të vjedhjes më dhunë, ndërsa dhe nga gjykatat shqiptare ekzistonte një urdhër ndalimi për të. Bushi është dënuar nga Gjykata e Kurbinit në 25 prill 2007 me 2.6 vjet burg për veprat penale të "armëmbajtjes pa leje", "falsifikim të dokumenteve" dhe "falsifikim të akteve të gjendjes civile". Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ndaj Astrit Bushit nga strukturat e hetimit të krimit do të rifillojnë hetimet, pasi dyshohet për vrasjen e punonjësit të policisë, të ndodhur në qytetin e Laçit. Në momentin e arrestimit, 32-vjeçarit iu gjetën dhe sekuestruan 1 pistoletë model çek, kalibër 9 mm, me një krehër me 14 fishekë, të cilën e mbante pa leje, si dhe materiale e sende të çmuara të vjedhura gjatë kohës së qëndrimit të tij në Spanjë. Në momentin e arrestimit Astrit Bushi nuk ka bërë rezistencë, pasi rrethimi i banesës së tij ku jetonte ka qenë i menjëhershëm, duke kapur në befasi edhe rojet që kryenin ruajtjen dhe shoqërimin e tij ngado që lëvizte. Mësohet se që nga momenti i kthimit në Shqipëri ai lëvizte gjithmonë i shoqëruar nga Laçi në Tiranë. Policia e Lezhës, të sinjalizuar nga Interpoli kishte shmangur përplasjen me të, për të vepruar në momentin që do të krijohej mundësia më e mirë e arrestimit.
Kërkimi i Spanjës
Një plagosje e rëndë gjatë një grabitjeje dhe shumë vepra të tjera që Bushi kishte kryer, sipas policisë spanjolle bashkë me një grup personash, e kishin ndërruar atë në person shumë të kërkuar. Dy vjet më parë ai akuzohet se ka hyrë për të grabitur në një banesë, duke e lënë të lënduar rëndë pronarin e saj. Kjo ngjarje bëri që brenda pak ditësh të arrestohej e të ndalohet Astrit Bushi, i dyshuar dhe për raste të tjera vjedhjesh në Spanjë. Ai u arrestua në Simas Kleistas të Spanjës, por gjatë procesit, shqiptari arriti të arratisej, duke u shpallur në kërkim ndërkombëtar prej dy vendeve. Arrestimi i tij sipas policisë është bërë për qëllime ekstradimi në Spanjë. Kjo pritet të vendoset, pasi të zbardhen dhe vendimet e gjykatave shqiptare për veprat për të cilat ai akuzohet.
Vrasja e Altin Balozit.
Në mars të vitit 2001, punonjësi i repartit të FNSH-së së Laçit, Altin Balozi u ekzekutua përballë gjimnazit të qytetit. Nga hetimet e kryera në atë kohë rezultoi se autori i krimit ishte Astrit Bushi, në shenjë hakmarrje për vrasjen e të vëllait të tij një vit më parë. Astrit Bushi, në 28 tetor të vitit 2000, po udhëtonte në makinë me të vëllain e tij, kur forcat e FNSH-së tentuan ta ndalonin dhe nga përplasja mbeti i vrarë i vëllai, Agron Bushi. Pasi u qëllua për vdekje Balozi, policia akuzoi Bushin. Ai u gjykua në mungesë për veprën penale të vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje, por pas shumë zvarritjesh i ra akuza e rëndë për mungesë provash. Pas kërkesave të familjarëve të viktimës Balozi pritet që Prokuroria e Krimeve të Rënda të nisin hetimet për vrasjen e ndodhur në mes të Laçit.
Ora që solli spanjollët në Shqipëri
Ora që u bllokua dje në banesën e Astrit Bushit është një ndër provat kyçe që sipas policisë spanjolle do të vërtetojë praninë e të arrestuarit në një grabitje me pasojë plagosjen rëndë të pronarit të shtëpisë. Një orë floriri tip "BREITLING", 18 karatëshe dyshohet si një prej sendeve të grabitura në Madrid në dhjetor të vitit 2007. Agjentët e huaj e kanë sekuestruar këtë orë për të bërë verifikimet e duhura dhe për të arritur në një provë tjetër që do të shpallë fajtor Bushin. Pas arratisjes së Bushit nga gjykata spanjolle, mediat vendase shkruan se "Astrit Bushi njihet për dhjetëra krime në Shqipëri dhe në Spanjë". Më 14 nëntor 2008 Bushi u arrestua në një lagje të Madridit, por në mars të këtij viti, një gabim gjyqësor i solli lirinë.