E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga diplomacia “e Vjetër” drejt diplomacisë “së Re”

Irida Xheneti* 

Thelbësore në zhvillimin e diplomacisë cilësohet Lufta e Parë Botërore dhe ngjarjet gjatë dhe pas saj: “14 pikat” e V.Vilson, të ashtuquajturat “Diplomacia e hapur” dhe “barazia ekonomike” midis shteteve; mbyllja e kapitullit të “Diplomacisë së Fshehtë” nga Bashkimi Sovjetik; Pikërisht pas Luftës së Parë Botërore, e më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, u shfaqën mundësitë për krijimin e organizatave të para ndërkombëtare, të cilat synonin minimalisht parandalimin e luftërave, për një diplomaci më të hapur, për një përfshirje më aktive të shteteve në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe Diplomacinë konferenciale.
Bota ndryshoi në shumë drejtime, fakt që ndikoi ndjeshëm në stilin e diplomacisë botërore... Por ku konsistonte ky ndryshim radikal?.. Bota u nda në shtete jo thjesht me sisteme të ndryshme sociale (kapitalizëm-feudalizëm), por mbi të gjitha me sisteme të kundërta (kapitalizëm-socializëm) dhe lindi domosdoshmëria e përshtatjes së këtyre sistemeve me stile të ndryshme diplomacie gjatë bashkëpunimit të tyre.
Konstatohet një rritje e ndjeshme e shteteve: më pak shtete monarkiste dhe më shumë republika. “Diplomacia e Vjetër” ekuivalentohej më shumë me “Diplomacinë e oborrit”, madje ndonjëherë edhe me “Diplomacinë Despotike”, kur të gjitha çështjet diplomatike zgjidheshin nga monarku ose oborri i tij. Filloi të ndryshonte ndjeshëm roli i komunitetit në politikë dhe “Diplomacia e Re” tregoi se e merr në konsideratë këtë fakt. Së-fundi një akses të madh përftuan mediat. Kjo dukuri i detyroi diplomatët të vepronin më aktivisht, duke lejuar zgjerimin e burimeve të informacionit të “Diplomacisë së Re”, por nga ana tjetër gazetarët u kthyen në “konkurrentë” për diplomatët, me të cilët duhet të përballeshin…
Vlen të theksohet se Diplomacia e Re në një nivel më të lartë se Diplomacia e vjetër forcoi rolin e informacionit analitik me karakter shkencor… Komponent vendimtar i “Diplomacisë së re” është pa dyshim analiza e marrëdhënieve ndërkombëtare, Politikës botërore dhe ekonomisë, konkurrenca e shkollës diplomatike së vjetër dhe të re, midis të cilave ekzistojnë ndryshime rrënjësore.
Por, do të ishte i pasaktë konkluzioni se midis këtyre diplomacive ekziston një barrierë e pakalueshme, se metodat e këtyre Diplomacive janë radikalisht të ndryshme dhe kundërshtojnë njëra-tjetrën… Do të ishte gjithashtu e gabuar të mendohej se diplomacia e vjetër dhe e re janë vetëm fjalë dhe midis tyre nuk ekzistojnë ndryshime, bazuar mbi argumentin se “natyra njerëzore” mbetet e njëjtë… Duhet pranuar se diplomacia nuk është vetëm në varësi të “natyrës njerëzore” (e cila pashmangshmërisht ndryshon, evoluon), por edhe nga situata, periudha historike në të cilën diplomati vepron, që gjithashtu me kalimin e kohës merr trajta të ndryshme…
“Diplomacinë e Re” e kanë quajtur ndër të tjera “Diplomacia e hapur”. Kujtojmë se në dobi të “transparencës” shpreheshin edhe shtete të tilla si Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-ja. Por, teoria dhe praktika janë larg… E vetmja pikë takimi e dy superfuqive ishte “ndryshimi” i marrëveshjeve sekrete, të cilat sërish në momente domosdoshmërie janë aplikuar… Vlen të theksohet se si Bashkimi Sovjetik, ashtu dhe SHBA-ja kuptuan se karakteri transparent i bisedimeve bie ndesh me thelbin e tyre. Aq më shumë, që dhe vetë “Diplomacia e Re”, veçanërisht pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe kryesisht në vitet ‘80-‘90 pësoi ndryshime radikale… Filloi të konsolidohej gjithnjë e më shumë mendimi se evoluimi i diplomacisë është në varësi të ndryshimeve shoqërore dhe ndryshimeve ndërkombëtare. Teoria sipas së cilës, diplomacia bazohet në dinakëri dhe mashtrim po zbehej gjithnjë e më shumë. Nis të konsolidohet mendimi se diplomacia duhet bazuar të besimi i partnerëve, duke qenë parimore dhe jo e motivuar nga fryma e tregtisë…
Nëse më parë diplomatët përpiqeshin të kamuflonin informacionin, principe të reja fillojnë të përvijohen… Princip i ri: diplomati duhet të ndajë informacionet, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me detyrën e tij, ose që përbëjnë sekret shtetëror. Kjo frymë e re në diplomaci nënkuptonte gjithashtu metoda të reja të përftimit të informacioneve. Diplomatët këshilloheshin t’i fitonin informacionet nga partnerët mbi bazën e besimit dhe jo t’i “vidhnin” apo t’i arrinin me forma të fshehta e jo transparente…
Por, transparenca e Diplomacisë, pa dyshim përmban shumë elementë e nuk mund të jetë transparencë në kuptimin e gjerë apo standard të fjalës…
Në fakt, principi i “ndershmërisë” ka nisur të përvijohet edhe në kuadrin e “Diplomacisë së Vjetër”, duke marrë trajta më të qarta e të prekshme në “Diplomacinë e Re”. Por, pavarësisht nga stili “i vjetër” apo “i Ri”, vendin më të rëndësishëm në artin e Diplomacisë e zënë tipare apo “armë” të tilla si: “inteligjenca, fleksibiliteti, besueshmëria dhe aftësia depërtuese”… Në këtë kontekst, vlen të përmendet krahasimi i diplomacisë me një biznes, të bazuar në ndershmëri…
Aspekti konceptual i Diplomacisë së Vjetër e të Re
Çelësi më efikas i zbulimit të së tashmes është pa dyshim ai që ka provuar të hapë si fillim portën e “të kaluarës”….
Rrjedhimisht, për të kuptuar më thellësisht termin “Diplomacia e Re”, lind domosdoshmëria e kthimit te periudha e “Diplomacisë së Vjetër”, e cila quhej ndryshe edhe “Diplomacia franceze”…. Vlen të theksohet se ishte mbi të gjitha “Diplomaci evropiane”, duke pasur parasysh që të gjitha ngjarjet kryesore ndërkombëtare zhvilloheshin pikërisht në Evropë, çështjet e debatueshme të kontinenteve të tjera, gjenin kryesisht zgjidhje në Evropë… Mendohej se roli i vendeve të vogla përcaktohej nga pozicioni i tyre në aleancat e shteteve të mëdha. Ky princip është ruajtur deri në gjysmën e shek. XX, duke dominuar në diskutimet dhe konferencat diplomatike..
Në “Diplomacinë e Vjetër” një ndër doktrinat kryesore ishte ‘Principi i ekuilibrit të forcave”, thelbi i të cilit konsistonte në faktin se një shtet nuk duhet të ishte ndjeshëm superior ndaj të shteteve të tjera... Përpjekjet për të krijuar Aleanca, me qëllim ekuilibrin përballë fuqisë së beftë, të shfaqur nga një shtet i veçantë evropian. Ky princip ishte pa dyshim i rëndësishëm edhe në Politikën e Jashtme. Ky princip ka ekzistuar deri në Luftën e Dytë Botërore si dhe periudhën e parë pas krijimit të NATO-s. Në “Diplomacinë e Re” ky princip pushoi së ekzistuari… Pas “Luftës së Parë botërore” dhe rritjen e frymës aktive të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, “Diplomacia e Vjetër” filloi të humbte karakterin e saj “evropian”, duke përftuar një karakter botëror….
Më përpara në “Diplomacinë e Vjetër”, për transmetimin e informacionit duheshin javë e ndonjëherë edhe muaj. Me shfaqjen e telegrafit, telefonit, faksit, televizionit e mjeteve të tjera u përshpejtuan ndjeshëm kontaktet midis ambasadave dhe kryeqyteteve. E pra, “Diplomacia e Re” karakterizohet nga operativiteti, nga ambasadat fillon të kërkohet një informacion më i shpejtë, një analizë më e shpejtë dhe rekomandime mbi kurset e politikave që vlen të ndiqen. Dhjetëvjeçarin e fundit lindën madje terma të tilla të reja si “civilizimi Nescaffe” ose “Diplomacia Nescaffe” që do të thotë se ndaj të gjitha ngjarjeve duhet reaguar me një rritëm tejet të shpejtë (përgatitja e nescaffe-së është shumë më e shpejtë se përgatitja e një kafeje normale), ndërsa për përpilimin e dokumenteve lind termi “të shprehesh me postulate”...
“Diplomacia e Re”, duke nisur nga fillimet e saj u kthye në një diplomaci që përmbante si shkencën, ashtu edhe artin. Në këtë rast lind pyetja: në ç’raporte janë shkenca dhe arti, ku shfaqen kryesisht tendencat shkencore në veprimtarinë e diplomacisë dhe ku dominon arti? Disa mendojnë se analiza shkencore fillestare e Politikës bëhet pikërisht në ambasada. Të tjerë mendojnë se karakterin shkencor diplomacia e përfton kryesisht në ministritë e Jashtme, qendrat analitike të diplomacisë, në të cilat ka më shumë mundësi të aplikohet analiza shkencore dhe ku burimet janë konsiderueshëm të larmishme në raport me shtetet e tjera ku ambasadat mund të operojnë. Por, ndoshta të dyja variantet së bashku përbëjnë karakterin analitik e shkencor të “Diplomacisë së Re”….
Prognozat diplomatike të ngjarjeve…
Një ndër detyrat kryesore të Diplomacisë ka qenë, mbetet dhe do të vijojë të jetë analiza e situatës në vendet ku operojnë ambasadat e politikës së këtij vendi, kryesisht në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo analizë, pa dyshim nuk duhet të ketë baza ideologjike apo fetare, por të mbështetet në vlerësime shkencore të situatave, në aftësinë për të përcaktuar saktë çfarë ndodh në shtetin e dhënë aktualisht dhe ç’mund të ndodhë në të ardhmen… Funksioni i parashikimeve, pa dyshim është më i ndërlikuari.
Parashikimet me vlerë mund të realizohen jo vetëm mbi bazën e të gjitha të dhënave që disponon ambasada, por kryesisht mbi kontaktet që ambasada disponon me qarqet qeveritare të vendit, të cilët e njohin mirë situatën, me parlamentarët, liderët e Partive opozitare, biznesmenët, përfaqësuesit e shkencës dhe kulturës së vendit në fjalë. Historia e Diplomacisë botërore shënon një sërë shembujsh gjenialë të vlerësimeve, jo vetëm të saktë e të thellë të Politikës së brendshme dhe të Jashtme të shteteve të caktuara, por edhe parashikimeve befasuese të ngjarjeve në perspektivë…
Stili i përmbushjes së këtyre funksioneve gjithashtu përcakton diferencën midis Diplomacisë së Vjetër dhe të Re. Bazuar në rrethanat e ndryshme, në evoluimin e mentaliteteve të blloqeve, procesit të së konceptuarit, në shfuqizimin e ideologjive, parashikimet, vlerësimet, analizat që realizon Diplomacia e Re ndoshta janë më objektive, pa e zhvlerësuar fuqinë analitike edhe të Diplomacisë së Vjetër…
Konkluzione….
“Diplomacia e Re” i jep fund diktatit diplomatik të një shteti të vetëm, diplomacisë bipolare së dy superfuqive, duke i lënë vendin diplomacisë multipolare, ku forcohet roli i organizatave ndërkombëtare dhe rritet pjesëmarrja e një numri gjithnjë e më të madh shtetesh në sistemin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare…
Megjithatë, krahasimi standard i Diplomacisë së Vjetër dhe të Re në aspektin e shkallës së vlerave do të ishte absurd… Secila nga këto diplomaci, duke përfshirë edhe ato që do të vijojnë kanë vlerën e tyre specifike në përshtatje me kohën, gjatë të cilës kanë operuar…. Rrjedhimisht, asnjë nga to nuk ka më shumë pluse apo minuse…
 Në kuadrin e “Diplomacisë së Re”, konstatohet se debati tashmë nuk zhvillohet midis shteteve të ashtuquajtura “Aksi i të keqes” dhe “shteteve shpëtimtare”. Debati real tashmë zhvillohet midis atyre që besojnë te pushteti i të drejtës, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe atyre, që ende mendojnë se gjithçka mund të zgjidhet nëpërmjet gjuhës së forcës….
Në konkluzion duhet pranuar se, përtej dimensioneve “E Vjetër” apo “E Re”, nëse mund të cilësohet “Diplomaci realisht e arrirë”, vlen më shumë se mijëra ushtri në front….
*Master për Diplomaci në Moskë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›