Fier, 200 banesa zhbllokohen me fadroma nga balta e grumbulluar gjatë përmbytjes
Një ditë pas përmbytjeve që pushtuan qarkun e Fierit, situata është paraqitur tepër e vështirë përgjatë gjithë lumit Gjanicë. Më tepër kanë rezultuar të prekura lagjet "1 maji" dhe "Afrim i ri". Dëmet kanë dalë në dritë vetëm mëngjesin e djeshëm, një ditë pas vërshimit të lumit, kur edhe një pjesë e familjeve të evakuara janë kthyer në shtëpitë e tyre. Qysh në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në ndihmë të banesave të përmbytura kanë mbërritur disa fadroma dhe skuadra të punëtorëve nga Bashkia Fier, bordi i kullimit, si dhe drejtoria e ujësjellësit.
Sipas krerëve të këtyre institucioneve, situata paraqitet e rëndë. Gjurmët e lumit "Gjanicë" vazhdojnë të jenë prezent, megjithëse niveli i ujit ka rënë ndjeshëm. Vendin e ujërave të turbullt e ka zënë balta e lluca, e cila si përherë ka përfshirë gjithë banesat e lagjes "1 maji" dhe "Afrim i ri". Janë më shumë se 150 banesa në lagjen "1 maji" dhe më shumë se 50 në atë "Afrim i ri", të cilat kanë ndjerë si domosdoshmëri ndërhyrjen e fadromave për të zhbllokuar fillimisht rrugët hyrëse, e më pas kanalet anësorë për të kulluar ujërat e balta. "Kemi qëndruar me orët të tëra parë shtratit të lumit Gjanicë dhe kemi parë se si ecte rrjedha e tij. Në të dy anët e lumit janë vendosur fadroma si dhe mjete të shumta zjarrfikëse për të evakuar banorët si dhe për të evituar përmbytjet në masë. Zbardhja e ditës së sotme ka nisur me aksione të skuadrave tona. Megjithëse zona nuk është pastruar ende, kemi bërë të mundur kalimin e automjeteve dhe banorëve si dhe rikthimi i këtyre të fundit pranë shtëpive të tyre", është shprehur Edmond Levanai, sekretari i shtabit të emergjencës në bashki. Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe kreu i ujësjellësit, Agim Plepi, i cili ka ndjerë më shumë rrezikun e përmbytjes, pasi vetë drejtoria e ujësjellësit ka qenë një ndër objektet e përmbytura nga shiu. "Në dispozicion të situatës kemi vendosur të gjitha mjetet tona si dhe të gjithë sektorët kanë qenë në gatishmëri përgjatë natës dhe gjithë ditës së sotme. Themi se situata është normalizuar deri diku, duke parë se uji kishte përmbytur jo vetëm një pjesë të mirë të qytetit, por edhe vetë ndërmarrjen. Kemi punuar me orar të zgjatur, e do të vazhdojmë të bëjmë një gjë të tillë derisa të stabilizohet plotësisht e gjithë gjendja. Shpresojmë që Gjanica të qëndrojë e tërhequr, pasi në rast të një përmbytjeje tjetër, situata do të ndërlikohej edhe më", ka nënvizuar Plepi. Ndërkohë, përballë kësaj gjendjeje të krijuar janë sërish banorët, ata që vuajnë pasojat. Ata shprehen se janë tepër të zhgënjyer duke qenë se ky nuk është rasti i parë dhe se nuk janë dëmshpërblyer për dëmet e shkaktuara. "Është e vërtetë që asnjëherë nuk janë marrë masa për parandalimin e përmbytjeve të tilla. Por ne nuk kemi marrë asnjë qindarkë siç na ishte premtuar për dëmet që u shkaktua herën e parë. Vazhdojnë të na premtojnë por asgjë nuk bëhet realisht. Kërkojmë që pushteti vendor dhe qeveria të na jap dëmshpërblim sipas vlerës së dëmit të përllogaritur nga specialistët e tyre", është shprehur Muharrem Gjata, njëri prej të prekurve nga përmbytja e fundit. E megjithë këtë, vetë banorët vazhdojnë të përballen me baltën e uji duke punuar paralel me fadromat për pastrimin e shtëpive të tyre. Dëmet ekonomike nga shiu i djeshëm ende nuk kanë dalë ndërsa nga përmbytja e mëparshme u prekën rreth 158 familje. Ndërkohë pasditja e sotme ka risjellë shirat, duke i detyruar banorët të qëndrojnë zgjuar gjatë natës për të shmangur ndonjë surprizë aspak të këndshme.