E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata pas përmbytjeve dhe reshjeve të dëborës paraqitet e rënduar

Si rezultat i reshjeve të dendura të borës e të shiut që kanë vazhduar gjatë kohëve të fundit, ende paraqitet një situatë të rënduar në disa zona të vendit e kryesisht në Qarkun e Kukësit, Qarkun e Dibrës dhe të Korçës. Gjatë dy netëve të kaluara ka pasur disa automjete të bllokuara në zonën e Ulzës dhe Bulqizës. Sakaq, përgjatë gjithë natës policia ka evakuuar të gjithë udhëtarët në hotele dhe ambiente private dhe disa qytetarë të sëmurë drejt qytetit të Bulqizës. Aktualisht po punohet me katër borëpastruese për hapjen e rrugës Peshkopi-Burrel. Po kështu në aksin Qafë-Mali -Fierzë-Pukë-Iballë ka pasur disa automjete udhëtarësh të bllokuara. Qytetarët janë kontaktuar nga policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Qarkut Shkodër ndodhen në këtë aks. Shtabi lokal i emergjencës po menaxhon këtë situatë dhe katër borëpastruese po punojnë për hapjen e rrugës. Në qytetin e Tiranës për shkak të përmbytjeve të mëdha gjatë ditës së djeshme në zonat e Komunës së Parisit, Kombinatit dhe tek Vasil Shanto është angazhuar i gjithë shërbimi zjarrfikës duke bërë të mundur shpëtimin nga përmbytjet për shumë familje. Një situatë problematike është ndeshur në Synej të Kavajës, ku për shkak të rrëshqitjes së tokës janë dëmtuar totalisht 5 shtëpi dhe gjashtë shtëpi të tjera janë në rrezik shembjeje. Policia tha se ajo ka marrë masa për evakuimin e të gjithë banorëve dhe sendeve familjare. Kurse Shtabi lokal i Emergjencës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile deklaruan se po vlerësojnë situatën në vend. Sipas tyre, është bërë vlerësimi paraprak nga institucione të specializuara dhe do të kryhet sa më shpejt evidentimi i plotë i dëmeve për të parë mundësinë e dhënies së ndihmës. Policia e Qarkullimit Rrugor ndërkohë, njoftoi se ka shtuar patrullat e saj në të gjitha akset problematike dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve që udhëtojnë në drejtim të Qafë Kërrabës, Qafë Thanës, në aksin Korçë-Ersekë, në Qafën e Llogarasë, në drejtim të Qafë Benës, aksin Qafë Mali-Fierzë-Pukë-Iballë, Shkodër-Pukë, Kukës-Has dhe Burrel-Milot, të lëvizin vetëm të pajisur me zinxhirë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›