Fier-Athine, mal me droge
Nje sasi prej 160 kilogramesh marihuane eshte bllokuar mengjesin e djeshem ne vendkalimin kufitar te Kakavijes. Agron rrushi nga Fieri, drejtuesi i automjetit tip "maune" ne te cilin u gjet lenda narkotike, u arrestua ne flagrance ndersa eshte bllokuar automjeti tip "Volvo F 16" me targa BR 18 52 B. "Ne baze te informacioneve qe ne kishim ne rruge operative se me kete mjet mund te transportohej nje ngarkese droge beme bllokimin e saj", thote drejtori Rajonal i Policise Kufitare, Vasil Valera. Pas bllokimit, maunia, i eshte nenshtruar nje kontrolli te imtesishem. Gjate kontrollit agjentet e policise kane konstatuar se ne njeren prej dyshemeve ndarese mes tri kateve te karrocerise ishte nderhyre nga jashte. Pasi kane cmontuar dyshemene, efektivat e policise kane zbuluar se ne kete pjese te karrocerise fshihej nje sasi lende narkotike. Gjate verifikimeve grupi hetimor ka konstatuar se sasia e lendes narkotike, e llojit marihuane, e cila peshonte ne total 160 kg, ishte paketuar ne 113 pako cilindrike me peshe 1 kg secila dhe ne 17 pako te tjera ne forme katrore me peshe te ndryshme. Gjate hetimeve te para 47-vjecari Rrushi ka pohuar se nuk kishte dijeni per ngarkesen e droges qe u gjet ne karroceri. "Une jam shofer, ka pohuar ai, maunia i perket nje firme ne Berat qe merret me tregtine e derrave dhe une udhetoja per ne Greqi per te marre ngarkesen e radhes".
Aksioni i uniformave blu eshte zhvendosur disa ore me pas ne qytetin e Fierit. Nje ekip i Zyres Operacionale Speciale ne Drejtorine e Krimit te Organizuar prane Ministrise se Brendshme ka zbritur ne terren, duke iniciuar operacionin ne nje pike karburanti ne aksin rrugor Fier-Ballsh. Ata kane bllokuar nje automjet me targa FR 4482C si dhe kane shoqeruar tre persona. "Ne karrocerine e mjetit te bllokuar jane gjetur gjashte thase te ngarkuar me lende narkotike canabis sattiva"-bene te ditur burime nga policia vendore. Ato saktesuan se te shoqeruarit jane nisur me nje automjet te posacem policor drejt kryeqytetit. Te njejtat burime bene te ditur se lendet narkotike te kapura ne Kakavije dhe Fier kishin te njejtin pronar dhe ishin te destinuara per ne kryeqytetin grek, Athine. Policia tha se aksioni ka vijuar mbreme vone edhe ne fshatin Pobrat te rrethit te Beratit, por ende nuk jane bere te ditur rezultatet.
B. Kore/ Xh. Beharaj