E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier Familjet e përmbytura kërkojnë dëmshpërblim nga shteti

Autori i Lajmit: RedaksiaDhjetëra familje në zonën e përmbytur nga vërshimi i ujërave të Vjosës në Fier kanë kaluar natën në shtëpitë mes ujit dhe baltës. Situatë alarmante është në zonën e Ferrasit në komunën Levan, ku banorëve, veç lagështisë dhe të ftohtit, u mungon dhe ushqimi, pasi ato të pakta rezerva ushqimore u janë dëmtuar nga uji. Të revoltuar banorët akuzojnë autoritetet se deri më tani nuk kanë bërë asgjë për tu ardhur në ndihmë. “Unë nuk kam asnjë thes miell për të ngrënë bukë, i kam fëmijët pa bukë. Këtu nuk ka ardhur asnjeri”. shprehet njëri nga banorët e zonës. Në këtë situatë, kreu i komunës Frakull paralajmëron se, nëse nuk merren masa, situata të tilla do të përsëriten gjithnjë duke izoluar banorët e fshatrave. Dhjetëra shtëpi ndodhen të izoluara në fshatrat e Fierit nga uji. Bëhet fjalë për banesa në fshatrat Ferras, Pishporo e Cerven. Sipas Hasajt, mbrëmjen e djeshme është mbledhur shtabi i emergjencës pranë Prefekturës për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren deri në normalizimin e situatës. "Dje, efektivat e policisë u shpërndanë në grupe në terren për evakuimin e familjeve më të rrezikuara”,- u shpreh Hasaj. Sipas tij, krahas grupeve të emergjencës, në terren janë dhe grupet e verifikimit të dëmit, me qëllim përpilimin e dokumentacionit të nevojshëm, për vlerësimin dhe dëmshpërblimin e të dëmtuarve. Por, pavarësisht mbledhjeve, banorët e banesave të përmbytura sot qëndrojnë sipër tarracave të shtëpive duke pritur për ndihmë. Mësohet se pleq, burra, gra e fëmijë po presin në kushte të vështira për rënien e nivelit të ujit për tu rikthyer sërish në banesa. Emergjente paraqitet gjendja për një vajzë të sëmurë mes banorëve të banesave të përmbytura. Reshjet e shiut kanë pushuar prej disa orësh, por pritet që të rinisin sërish me të njëjtin intensitet.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›