E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza Basha: 79 vrasje në 330 ditë

Autori i Lajmit: Ornela ManjaniUlet ndjeshëm numri i vrasjeve në vendin tonë. Gjatë këtij viti është shënuar numri më i vogël i ekzekutimeve në dekadën e fundit.
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, mori pjesë dje në analizën e veprimtarisë gjatë vitit 2009 të Departamentit të Hetimit të Krimit dhe të Departamentit të Kufirit dhe Migracionin të Policisë së Shtetit. Ministri Basha vlerësoi rezultatet e arritura nga strukturat e hetimit të krimit në goditjen e elementëve dhe grupeve kriminale. Ai tha se krimi i vrasjes për këtë vit ka rënë me 79 raste dhe ky është treguesi, sipas tij, më i ulët i regjistruar në dhjetë vitet e fundit. Ministri Basha cilësoi si arritje tepër të rëndësishme instalimin e sistemit TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar, instalimin e sistemit të analizës së informacionit MEMEX në drejtoritë e policisë në qarqe dhe vënien në funksionim të qendrës operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Shifra
Seksioni i luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave ka evidentuar 1646 vepra penale dhe zbuluar 1610 prej tyre ose 97.8 %. Gjatë vitit 2008, në shkallë vendi në fushën e krimeve financiare janë evidentuar 2530 vepra penale ndërsa në 2009-ën janë implikuar 2049 autorë nga të cilët 299 të arrestuar dhe ndaluar, 1721 të proceduar në gjendje të lirë, 12 në kërkim.
Gjatë vitit 2009 në krahasim me vitin 2008, janë, evidencuar 884 vepra penale më pak dhe janë proceduar 574 autorë më pak. Vlera e aseteve të sekuestruara - 5 milionë euro.
Analiza
Departamenti i Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, zhvilloi dje në ambientet e Pallatit të Kongreseve, analizën vjetore të punës së kryer gjatë vitit 2009.
Në këtë takim merrnin pjesë ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, drejtues të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit në Shqipëri, oficerët e kontaktit të vendeve të tjera, si dhe përfaqësues të misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit. Prezantimi i rezultateve të arritura gjatë vitit 2009 nga strukturat e hetimit të krimit u bë nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj, i cili i vlerësoi si shumë optimalë treguesit e arritur gjatë këtij vitit, të cilat janë rezultate krahasimisht më të mira në raport me vitet e mëparshme.
Arritjet
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit evidentoi faktin se strukturat qendrore dhe vendore, pjesë e Departamentit për Hetimin e Krimeve, jo vetëm që kanë ruajtur ritmet e viteve të shkuara, por janë angazhuar plotësisht për të maksimalizuar rezultatet në luftën kundër krimit, si dhe në rritjen e treguesve të punës dhe performancës së punonjësve të saj, gjë që më së miri ilustrohet me faktin se për të disatin vit rresht, vrasjet në Shqipëri mbahen me rendin dyshifror, por ky vit përbën rekordin e tyre. Kuliçaj vlerësoi gjithashtu kontributin e gjithsecilit punonjës policie të strukturave të Hetimit të Krimit, si dhe sakrificat që këta punonjës kanë bërë në luftë me të keqen, duke u ndalur në mënyrë të veçantë dhe vlerësuar kujtimin e atyre punonjësve të këtij Departamenti që nuk janë më midis nesh.

Dhuna në familje, 1 mijë persona kërkuan ndihmë

Gjatë 11-mujorit të këtij viti kanë denoncuar dhunën pranë strukturave vendore të policisë 1063 persona, ndërkohë që gjatë vitit 2008 janë evidencuar 740 raste. Gjatë këtij viti kemi një rritje me 323 raste të denoncimeve për dhunë në familje. Sipas statistikave të policisë mësohet se janë përgatitur rreth 747 kërkesëpadi “Për lëshimin e Urdhrit të menjëhershëm të Mbrojtjes/Urdhrit të Mbrojtjes, dhe në të gjitha rastet viktimave u është garantuar mbrojtja e nevojshme. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin përgatitur 377 kërkesa të tilla. Bashkërendimi i punës me gjykatat lidhur me lëshimin dhe ndjekjen e urdhrave të mbrojtjes është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme. Njësitë e qeverisjes vendore duhet të rrisin bashkëpunimin në ofrimin e shërbimeve dhe ndihmës psikosociale, akomodim/strehim për viktimat e dhunës në familje.
Fenomen shqetësues mbeten vrasjet brenda familjes ku gjatë këtij viti janë evidentuar 16 raste te tilla.

Rritet zbulueshmëria e krimit

Rritet niveli i zbulueshmërisë së veprave kriminale në masën 88 për qind. Por kreu i Ministrisë së Brendshme kërkoi rritjen e mëtejshme të profesionalizmit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve teknike dhe burimeve njerëzore për tiu përgjigjur sfidave të reja në luftën kundër të gjitha dukurive kriminale. Gjatë 11-mujorit 2009, nga policia shqiptare janë goditur 31 grupe kriminale të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike me 119 persona të proceduar penalisht. (Në të njëjtën periudhë të vitit 2008 janë goditur 36 grupe kriminale me 166 persona të proceduar penalisht) janë realizuar me sukses 26 operacione duke zbatuar teknikat speciale të hetimit.

Sistemi TIMS rriti efektivitetin

Vlerësime dhe përgëzime të posaçme shprehu ministri Basha për veprimtarinë e kryer gjatë këtij viti nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit. Ministri Basha cilësoi si arritje tepër të rëndësishme instalimin e sistemit TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe pajisjen e këtyre pikave me mjetet dhe teknologjinë më të avancuar të kontrollit, instalimin e sistemit të analizës së informacionit MEMEX në drejtoritë e policisë në qarqe dhe vënien në funksionim të qendrës operacionale.

Lufta kundër krimit prioritet

Lufta kundër krimit të organizuar mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, sepse përben një rrezikshmëri të lartë për qytetarët tanë dhe për impaktin potencial të integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Shqipëria vazhdon të arrijë sukses me programin e saj për luftën kundër krimit të organizuar, për garantimin e një kontrolli efektiv dhe sigurimin e territorit të saj. Forcimi i ligjit dhe bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar ka ndihmuar në sigurimin e kufijve tanë, në reduktimin e krimit të organizuar dhe të llojeve të ndryshme të trafikimit. Është përmirësuar më tej edhe profesionalizmi i Policisë së Shtetit.

Hetimet për deputetin në listën e prioriteteve

Zbardhja e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindit është radhitur në prioritetet e Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit flet për ecurinë e hetimeve të vrasjes se ish-deputetit të Partisë Socialiste. Gjatë analizës vjetore të Drejtorisë së Hetimit të Krimeve, drejtori, Agron Kuliçi, thotë se hetimet për këtë çështje po vazhdojnë intensivisht në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. ”Ndjekja e krimeve të vjetra, kryesisht vrasja ndaj punonjësve të policisë dhe goditja e grupeve kriminale që kanë kryer këto vrasje kanë ndikuar pozitivisht në forcimin e besimit të qytetarëve te autoriteti i shtetit. Është vlerësuar dhe po vlerësohet me masën maksimale ndjekja me përparësi të veçantë e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Grupi i punës me përbërje të oficerëve të policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda është duke punuar intensivisht për zbardhjen e kësaj çështjeje”, - tha Kuliçi. Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit evidentoi faktin se strukturat qendrore dhe vendore, pjesë e Departamentit për Hetimin e Krimeve, jo vetëm që kanë ruajtur ritmet e viteve të shkuara, por janë angazhuar plotësisht për të maksimalizuar rezultatet në luftën kundër krimit, si dhe në rritjen e treguesve të punës dhe performancës së punonjësve të saj, gjë që më së miri ilustrohet me faktin se për të disatin vit rresht, vrasjet në Shqipëri mbahen me rendin dyshifror, por ky vit përbën rekordin e tyre. Kuliçaj vlerësoi gjithashtu kontributin e gjithsecilit punonjës policie të strukturave të Hetimit të Krimit, si dhe sakrificat që këta punonjës kanë bërë në luftë me të keqen, duke u ndalur në mënyrë të veçantë dhe vlerësuar kujtimin e atyre punonjësve të këtij Departamenti që nuk janë më midis nesh.

Ky lajm është publikuar: 23/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›