Fier-Lushnje, fshatarët vjedhin sinjalistikën, ua vendosin lopëve
Kristaq Thana
Një problematikë e re por që është bërë shkak për shumë aksidente po haset në aksin rrugor Kolonjë-Veri në autostradën Fier-Lushnje. Sinjalistika e këtij segmenti mbetet ende pre e grabitjeve ndërkohë që këtë herë janë vjedhur pjesë të sinjalistikës horizontale të vendosura në traversat metalike ndarëse mes korsive. Persona të papërgjegjshëm, për arsye përfitimi, kanë dëmtuar aksin rrugor duke grabitur pjesët fosforeshente të cilat u vijnë në ndihmë drejtuesve të mjeteve gjatë natës. Nevoja e tyre kryesisht është në kthesat e rrezikshme në të cilat rastet e aksidenteve janë të përsëritura.
Burime nga policia e Fierit thanë për Shekullin se autorë të grabitjes dyshohen vetë banorët e zonës. Sipas policisë, banorët i përdorin pjesët e grabitura për tua vendosur më pas karrocave me kalë, lopëve dhe mjeteve motorike me qëllim që të dallohen natën nga shoferët në aksin e rrezikshëm Fier-Lushnje. Vetëm pak ditë më parë, pikërisht në këtë aks, një aksident i shkaktuar natën për shkak të mosdallimit të kthesës solli një të plagosur rëndë. Ndërkohë, aksidentet gjatë natës veç dëmeve materiale dhe rrezikshmërisë për jetën e udhëtarëve bëjnë që rruga të bllokohet për minuta të tëra nga hetimet policore në rast aksidentesh.
