Bashkia, kredi vëllait të gardistes që mori filmimet e 21 janarit
Në listën e familjeve që po ndihmohen për të blerë shtëpi me kredi të buta nga Bashkia e Tiranës figuron edhe vëllai i Ervina Osmanit, punonjësja e Gardës së Republikës që dyshohet nga prokuroria se ka marrë pamjet e filmimeve të 21 janarit. Emri i Enton Osmanit renditet mes familjeve që kanë fituar kredi të buta dhe sipas burimeve të gazetës Shqip, emri i tij është futur muajt e fundit, nga administrata Basha. Ky është rasti i dytë që bashkia ka ndihmuar familjet e personave që kanë qenë aktivë gjatë demonstratës. Familja e Agim Llupos, gardisti që dyshohet për vrasjen e Ziver Veizit dhe Aleks Nikës, ka përfituar kredi. Në listën e publikuar ishte emri i nënës së Agim Llupos, dhe pas kërkimit në regjistrin e gjendjes civile, rezultoi se Liri Llupo ishte kryefamiljarja. E njëjta skemë ka ndodhur edhe me familjen Osmani. Emri i publikuar na bashkia është Enton Osmani. Pas kërkimit në regjistrin e gjendjes civile, rezulton se në familjen e këtij personi figuron edhe shtetasja Ervina Osmani. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmojnë se Ervina Osmani është nën hetim nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës për fshirjen e pamjeve të 21 janarit, nga serveri i Kryeministrisë. Roli i saj ka qenë aktiv, aq sa ka urdhëruar shefin e IT-së, Armando Kasa, që një kopje të këtyre pamjeve ti servireshin asaj. Akuza dyshon se kjo shtetase ka marrë në dorë pamjet e regjistruara gjatë demonstratës, ku duken disa nga drejtuesit e Gardës së Republikës që qëllojnë në drejtim të ulët nga toka.
Veprimi i Bashkisë së Tiranës për të ndihmuar dy nga familjet e të hetuarve për 21 janarin konsiderohet presion i hapur për prokurorinë, e cila duhet të ndajë përgjegjësinë ligjore të të hetuarve për vrasjen e katër personave dhe plagosjen e dhjetërave të tjerë. Miratimi i kredisë së butë për familjen Osmani dhe Llupo vjen në të njëjtën kohë që grupi hetimor mund të ngrejë akuza ndaj këtyre personave dhe çështjen ta dërgojë në gjykatë./Shqip