Fier, PS proteston kundër mbledhjes së Këshillit të Qarkut
Partia Socialiste e Fierit ka zhvilluar sot një protestë para Këshillit të Qarkut të Fierit. Shkak për këtë protestë është bërë mbledhja e Këshillit të Qarkut, e parashikuar për sot, të cilën PS e konsideron të paligjshme. Socialistët e Fierit kanë kërkuar shtyrjen e mbledhjen për në nesër, atëherë kur jepet edhe vendimi i gjykatës për ankimimin e bërë ndaj vendimit të prefektit Bujar Hasa.
Mësohet se disa nga protestuesit kanë hyrë në sallën ku do të niste mbledhja e thirrur nga prefekti Hasa, për të penguar zhvillimin e saj.
Kreu i Këshillit të Qarkut Fier, Vangjel Ndreka, ka reaguar përmes një deklarate për shtyp, duke theksuar se futja në sallë e socialistëve që kishin ardhur për të protestuar është thjesht për të shprehur indinjatën e tyre. Prefekti i Fierit po shkel ligjin, nuk respekton vendimin e gjykatës. Ai po kërkon të ndërtojë struktura paralele, tha Ndreka.
Partia Socialiste nuk është pajtuar me mënyrën se si u konstituua Këshilli i Qarkut Fier. Një ditë më parë, në mbledhjen e deputetëve të PS, kreu Rama u shpreh se tentativa e PD-së për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve edhe në këshillat e qarqeve janë në rrezik për konsensusin e shumëpritur mes dy palëve.
I bëj thirrje Ilirit dhe Saliut: Ndalni banditët lokalë, që me dru kërkojnë të përmbysin zgjedhjet legjitime. Kjo që po ndodh është kërcënim i hapur për opozitën dhe rrezik për konsensusin, që duam të japim për të ardhmen, deklaroi Rama.