Fier-Tepelenë, rruga 7-vjeçare shtyhet sërish
Projekti
U firmos më 2005-n, por demokratët e vonuan. Kuvendi miraton shtesat për afate të reja
Kostoja - Kostoja totale e projektit të rrugës është rreth 70 milionë euro
Vijon ende odiseja e ndërtimit të rrugës kombëtare Fier-Tepelenë. Marrëveshja ishte nënshkruar nga socialistët në vitin 2005, por qeverisja demokrate e kundërshtoi me pretendimin e rishikimit të projektit dhe ende në 2012 nuk ka përfunduar.
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi dje një projektligj të qeverisë, që shtyn afatin e përfundimit të rrugës Fier-Tepelenë, e cila duhet të kishte përfunduar që në nëntor të vitit të kaluar. I pranishëm në komision ishte zv/ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Ernest Noka, i cili u mundua ti përgjigjej pikëpyetjeve të opozitës për shkaqet e vonesës dhe çfarë pasojash financiare sjell shtyrja e afatit.
“Në kontratë, afati përfundimtar ka qenë fillimi i vitit 2008- nëntori i 2011. Ne kërkojmë shtyrje të afatit të përfundimit, për arsye se segmenti i dytë akoma nuk ka mbaruar”, deklaroi Ernest Noka.
Kontrata fillestare për ndërtimin e rrugës Fier-Tepelenë është nënshkruar më shumë se 7 vjet më parë, në qershor të vitit 2005. Në fillim qeveria e sapoardhur në pushtet e demokratëve e bllokoi ndërtimin, pasi mbështeste një tjetër projekt alternativ, të ashtuquajturin Boshti i Jugut. Por kundërshtimet e forta të donatorëve e detyruan atë të zhbllokonte ndërtimin e rrugës dhe kontrata u dërgua për miratim në Parlament vetëm në vitin 2007. Që nga ajo kohë, projekti është përballur me të tjera vonesa, që lidhen edhe me nënkontraktorët
“Kjo është rruga e parë, pra, aksi i Jugut ka qenë rruga e parë që Berisha ka anuluar pas ardhjes në pushtetit në 2005″, tha deputeti socialist Arben Ahmetaj.
Deri tani kanë përfunduar rreth 75 për qind e punimeve të kësaj rruge. Qeveria thotë se i gjithë aksi do të përfundojë në tetor të këtij viti, por së fundmi projekti po përballet me një tjetër problem. Një pjesë e rrugës, me gjatësi 4.5 kilometra, kalon pranë hidrocentralit të Kalivacit dhe rrezikon të përmbytet nga baseni. Qeveria është detyruar të ndryshojë projektin, por kjo ka sjellë një kosto shtesë prej 12 milionë eurosh, për të cilat ka lindur një konflikt mes qeverise dhe kompanisë që ndërton hidrocentralin. Kostoja totale e projektit është rreth 70 milionë euro, prej të cilave 20 nuk janë disbursuar ende. Donatorët kryesorë janë BERZH, BEI dhe Bashkimi Europian.
Fier-Tepelenë, rruga 7-vjeçare shtyhet sërish burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip