Qeveria në krizë, Bode gërshërë administratës, kursen 220 mln lekë
Bode heq dietat, seminaret dhe ul më 20 % kuotat e telefonave
Niveli i lartë i borxhit publik dhe deficitit e ka detyruar ministrin Bode që të marrë masa për të zbutur situatën ekonomike në vend. Konkretisht Ministria e Financave është duke përgatitur një paketë masash drastike për reduktimin e shpenzimeve buxhetore.
Reduktimi i shpenzimeve
Media ka mësuar se më datë 28 gusht ministri i Financave Ridvan Bode, i ka dërguar zyrtarisht Këshillit të Ministrave një projektvendim, i cili parashikon ngrirjen e një sërë shpenzimeve administrative. Sipas projektvendimit që pritet shumë shpejt të miratohet edhe në Këshillin e Ministrave, thuhet se qysh pas datës 7 shtator do të ndalohet çdo prokurim i fondeve të buxhetit për shpenzime operative. Po kështu paketa e masave parashikon uljen me 20 për qind të masës së mbulimit për shpenzimet e telefonisë celulare për nënpunësit dhe ngrirjen e fondit të veçantë deri më datë 5 dhjetor.
Arka e kursimit
Me këto dy masa të fundit qeveria parashikon të kursejë 220 milionë lekë ose rreth 2.2 milionë dollarë. Por në projektvendim ka dhe masa të tjera reduktuese, siç janë shpenzimet për udhëtime dhe dieta jashtë vendit për punonjësit e administratës qendrore, të cilat do të lejohen vetëm për udhëtime shumë të rëndësishme dhe vetëm për një numër të kufizuar punonjësish. Por edhe për këto raste duhet marrë leja e ministrit apo titullarit të institucionit.
Trajnimet
Një tjetër masë shtrënguese është edhe ajo e trajnimit dhe kualifikimit të punonjësve të administratës. Sipas dokumentit të Ministrisë, që nga data 7 shtator të gjitha trajnimet, seminaret apo kurset jashtë vendit do të bllokohen plotësisht, ndërsa fondet e paracaktuara, por të papërdorura deri më tani për këtë zë reduktohen në 50 për qind. Duke qëndruar tek ky zë (trajnimet) Ministria e Financave thotë se gjatë monitorimit në disa institucione janë vërë re probleme dhe shkelje në mënyrën se si zbatohet legjislacioni për pagat dhe shpërblimet. Ndaj sipas Ministrisë përmes këtij vendimi synohet disiplinimi i shpenzimeve financiare që rritja e parashikuar e pagave të mos kërkojë më fonde shtesë nga buxheti.