E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lotaria Kombëtare, Totozani i kërkon Bodes letrat e tenderit

Gazeta Shqip

Ankesa e kompanisë greke Intralot vë në lëvizje Avokatin e Popullit

Tenderi i shumëpërfolur i Lotarisë kombëtare ka vënë në lëvizje dhe Avokatin e Popullit. Përmes një shkresë zyrtare, që mban datën 18 gusht, institucioni i Ombudsmanit i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Financave që të informojë kompanitë e skualifikuara nga gara për procedurat që ka ndjekur në përzgjedhjen e konsulentëve.

Kërkesa e Avokatit të Popullit vjen pas ankesës që ky institucion ka marrë nga kompania e skualifikuar greke Intralot. Kjo e fundit i është drejtuar më datën 13 korrik Ministrisë së Financave për informacion mbi përzgjedhjen e konsulentëve, por, pasi dikasteri i financave ka refuzuar të përgjigjet, i është drejtuar zyrës së Avokatit të Popullit.

Në shkresën e firmosur nga zoti Totazani thuhet: Shoqëria greke Intralot mendon se kriteret e konkurrimit janë hartuar në kushtet e konfliktit të interesit në përzgjedhjen e konsulentit të jashtëm Vlaemink Partners dhe konsulentit ligjor të jashtëm Q-LOT.

Në këto kushte, kjo shoqëri kërkon ndërmjetësimin e Avokatit të Popullit, për tu vënë në dispozicion kopjet e dokumentacionit të praktikës administrative që është ndjekur. Më tej, në letër, Avokati i kërkon Ministrisë që brenda afatit të përcaktuar në ligj të vërë në dispozicion të kompanisë greke gjithë informacionin zyrtar të kërkuar, duke njoftuar paralelisht për këtë edhe institucionin e Ombudsmanit.

Koncesioni për Lotarinë kombëtare ka qenë një nga tenderët publikë më të përfolur. Që para se të zhvillohej tenderi, disa kompani të skualifikuara nga gara akuzuan qeverinë se kishte miratuar kritere që kufizonin konkurrencën dhe çonin në rezultat të paracaktuar, duke përfolur si fituese Lotarinë kombëtare të Austrisë.

Tenderi u zhvillua në datën 20 qershor dhe fitues u shpall pikërisht kompania e paralajmëruar, Lotaria lombëtare e Austrisë, e cila për dhjetë vitet e ardhshme do të ketë monopolin e tregut dërrmues të bixhozit në Shqipëri, kundrejt një çmimi prej vetëm 3 milionë eurosh.

Lotaria Kombëtare, Totozani i kërkon Bodes letrat e tenderit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›