E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, arrest me burg dy të rinjve, vranë 21-vjeçarin për një skedinë

FIER - Burg pa afat është masa e sigurisë që Gjykata e Fierit ka dhënë për 2 të arrestuarit e djeshëm Andrea Rrapaj 18 vjeç dhe Erald Elmazi 25 vjeç, të dyshuar si të implikuar në vrasjen e 21-vjeçarit Andi Prifti (foto) më 20 janar të këtij viti.

Sipas policisë së Fierit dyshohet se 21-vjeçari nga Fieri u vra me thikë nga 3 miqtë e tij, të cilët mendohet se ishin në dijeni për një skedinë me vlerë rreth 60 mijë lekë të reja që viktima sapo e kishte fituar nga një lloto.

Avokati mbrojtës i Elmazit e cilesoi të paligjshëm arrestimin e 25-vjeçarit dhe kërkoi një masë më të butë pasi nuk ka prova kontrete për implikimin e tij në këtë vrasje, kurse pala mbrojtëse e 18-vjeçarit kërkoi arrest shtepie për Andrea Rrapajn.

Nga ana e tij babai i Erald Elmazit u shpreh se djali i tij është i pafajshëm, pasi atë natë ka qenë në shtëpi.

Por edhe pas pretendimeve të mbrojtes, Gjykata e Fierit vendosi burg pa afat për dy të rinjtë arrest me burg. Andrea Rrapaj dhe Erald Elmazi u dërguan në Vlorë në burgun e të miturve.

Gjatë operacionit të djeshëm “Kulla e Ujit”, policia e Fierit ka arrestuar Andrea Rrapaj 18 vjeç dhe Erald Elmazi 25 vjeç, që të dy banues në Fier.

Polica e Fierit sqaron se për dy të ndaluarit është kryer dokumentimi ligjor pasi janë të dyshuar për vjedhje me pasojë vdekjen e shtetasit Andi Prifti dhe akuzohen për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen, e kryer në bashkëpunim”.

Për vrasjen e Andi Priftit, policia e Fierit ka arrestuar edhe Gentian Shahinaj, për të cili Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›