E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, arrestohen për mitmarrje 9 efektivë të Policisë Rrugore

FIER- Arrestohen pas një hetimi të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Brendshme 9 punonjës të policisë së qarkullimit rrugor në komisariatin e Fierit. Punonjësit e policisë akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer më shumë se njëherë veprën penale të korrupsionit pasiv gjatë shërbimit në aksin Lushnjë-Fier-Vlorë. Policia bën të ditur identitetin e të arrestuarve të cilët janë: Arjan Xheka, Bardhosh Malaj, Flamur Derveni, Pëllumb Toro, Pëllumb Çepele, Vladimir Gjini, Leonard Brahimaj, Anesti Gjini dhe Ermir Gjonçe. Mësohet se të arrestuarit u merrnin para drejtuesve të automjeteve në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Për të njëjtën akuzë filluan hetimet në gjendje të lirë edhe për tetë punonjës të tjerë të policisë rrugore në Komisariatin e Policisë Fier. Bëhet e ditur se nën hetim janë gjithashtu edhe 35 qytetarë, drejtues automjetesh, të cilët në kohë të ndryshme kanë kryer veprën penale të korrupsionit aktiv duke u dhënë para këtyre punonjësve të policisë rrugore në këmbim të mosndëshkimit administrativ për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›