Shqipëria import energjie nga Kosova? KEK përgënjeshtron mediat
PRISHTINE- Koorporata Elektroenergjetike e Kosovës ka reaguar pas shkrimit të bërë në gazetën kosovare Expres, sipas të cilës në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit, pra në kulmin e përmbytjeve, Kosova i ka dhënë energji elektrike Shqipërisë. Përmes një njoftimi për shtyp kompania KEK sqaron se këto pretendime nuk janë të vërteta. Sipas saj , që prej datës 26 dhjetor KESH ka depozituar në Kosovë energji , dhe kjo ka vazhduar edhe gjatë muajit janar. KEK sqaron se depozitimet arrijnë deri në 300 mega/vat për orë në bazë të marrëveshjes mes dy kompanive energjetike për shkëmbime të energjisë. Kompania kosovare bën të ditur gjithashtu se nuk ka shitur energji në Shqipëri gjatë muajit dhjetor, përves kthimit të një sasie shumë të vogël të borxhit në energji KESH-it. Kompania energjetike kosovare deklaron se ka vënë në dispozicion të KESH tërë potencialin e saj teknologjik për të ndihmuar në tejkalimin e vështirësive në hidrocentrale të cilat janë shkaktuar nga rritja e nivelit të prurjeve në liqenin e Fierzës. Për këtë arsye KEK-u ka ndalur punën në 2 njësi të prodhimit të energjisë në termocentralin Kosova A, në mënyrë që hidrocentralet e Shqipërisë rezervat hidrike ti përdorin sa më shumë për prodhimin e energjisë. (e.n/News24/BalkanWeb)