Mungesa e një vendgrumbullimi plehrash, banorët e Laknasit në rrezik epidemie
Mungesa e koshave të mbeturinave dhe grumbullimi i tyre në vende publike, po kthehet në një rrezik serioz në përhapjen e një epidemie të mundshme për banorët e zonës së Laknasit, pak kilometra larg Tiranës. Këta banorë, në mungesë së shërbimit të pastrimit dhe pajisjes me kosha mbeturinash nga Bashkia, kanë preferuar që ti hedhin mbeturinat prej vitesh pranë Shinave të Trenit, bri shtëpive të banimit. Prania e koshave të mbeturinave për banorët e kësaj zone, konsiderohet si një luks, pasi është e vështirë të gjesh të tillë pranë lagjeve të banimit, duke filluar që nga Kthesa e Kamzës deri tek QTU-ja.
Male mbeturinash janë formuar pranë banesave në të dy krahët e Shinave të Trenit, ndërkohë asnjë masë nga bashkia përkatëse nuk është marrë deri më tani. Madje, konstatohet se Shinat e Trenit prapa QTU, janë kthyer në një qendër për depozitimin e mbeturinave nga të gjitha zonat përreth, ku shikohen të shkarkohen mbeturina të ndryshme edhe me automjete automobilistike. Edhe pse zgjimi i ndjenjës njerëzore dhe i interesit të qytetarëve të kësaj zone mund të jetë i lartë për ta mbajtur mjedisin të pastër, mungesa e koshave të mbeturinave justifikon çdo përgjegjësi dhe mundësi qytetare. Kështu, pajisja e lagjeve me kosha mbeturinash, në mos do ta eliminonte plotësisht, do ta zvogëlonte ndotjen e kësaj zonë nga mbeturinat. Banorët kanë publikuar shqetësimin e tyre prej kohësh, se zona në fjalë është lënë në mjerim. Ata shprehen, se vendoset ndonjë kosh në rrugë, apo hidhet ndonjë lopatë zhavorr në rrugë, vetëm kur kalon ndonjë ministër për të vizituar zonën. Përveç mungesës së koshave të mbeturinave, lagja Lura, në zonën e Laknasit, ashti si lagjet e tjera, vuan edhe mungesën e rrjetit kanalizues për ujërat e zeza, vuajnë ujin e pijshëm, infrastrukturën rrugore etj. Por më shqetësuese për këta mijëra banorë janë malet e mbeturinave të krijuara pranë banesave të tyre, të cilat lëshojnë një erë të padurueshme dhjetëra metra larg. Ndërkaq, edhe banesat pranë mbeturinave janë të pabanueshme, pasi ajri i ndotur depërton deri në mjediset e brendshme. Shumë fëmijë të kësaj zone janë shtruar shpeshherë në spital, ndërkohë janë diagnostikuar nga mjekët e QSUT, të infektuar nga grumbullimi i mbeturina ve pranë tyre. Banorët e lagjes Lura, të zonës së Laknasit, kërkojnë urgjentisht ndërhyrjen e bashkisë për pastrimin e mbeturina dha pajisjen e lagjeve me kosha mbeturinash, para se të plasi epidemia masive për shkak të tyre.