Fier, bizneset ankohen për mungesën e energjisë
Biznesmenë të ndryshëm kanë kërkuar që OSSH-ja t'i dëmshpërblejë për ndërprerjen e energjisë elektrike
FIER - Ndërprerja e energjisë herë pas here, sidomos ditët e fundit, ka krijuar probleme në bllokun industrial, vend ku kanë ndërtuar biznesin e tyre shumë nga tregtarët e Fierit. Ata janë lënë pa energji elektrike ndërkohë nga këto ndërprerje po e pësojnë edhe abonentët familjarë. Biznese si ai i fabrikave të bukës, të bojërave, konfeksioneve, këpucëve, mobilerive etj, të cilat ndodhen në këtë bllok industrial shprehen se kanë probleme.
Në kushtet e krijuara ata kanë ndezur gjeneratorët duke reduktuar punën dhe pësuar, sipas tyre, humbje të konsiderueshme. Ankesat e drejtuara në OSSH për këtë mungesë energjie duket se nuk kanë gjetur zgjidhje.
Pronari i një fabrike buke, Kajo Hallka, është shprehur se përveç humbjeve të pësuara nga mungesa e energjisë elektrike, është i detyruar që për shkak të përdorimit të gjeneratorëve për prodhimin e saj të rrisë çmimin e bukës në treg. Ai thotë se në kushtet kur mungon energjia elektrike, jam i detyruar të punoj me gjenerator duke harxhuar këto dite rreth 800 litra naftë.
Kam kërkuar dëshpërblimin e kësaj humbjeje, pasi midis nesh dhe OSSH-së ka një kontratë, një aktmarëveshje ku thuhet se ne do t'i paguajmë energjinë elektrike, por kur energjia mungon për faj të tyre duhet të na dëmshpërbleje. Këto ndërprerje te njëpasnjëshme OSSH-ja i justifikon me lagështinë të shkaktuar nga shirat ose amortizimin e tyre.
Sipas tij, në rast se fillojnë shirat në malin e Tomorit, në Fier stakohen dritat. Këto mungesa të energjisë na kanë shkaktuar edhe prishje te bukës ose të brumit pasi energjia ndërpritet pa orar.
Të njëjtën gjë thotë edhe pronari i një mobilerie, Idajet Veliu. Ai pohon faktin se këto ndërprerje na kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare. OSSH-ja na kërkon të paguajmë energjinë e harxhuar dhe une jam i rregullt. Atëherë edhe ajo duhet të më sigurojë energji pa ndërprerje, pasi puna jonë kryesore varet nga korrenti.
Jo vetëm keto ditë që ka munguar, por edhe në raste të tjera na e ndërpresin energjinë pa na lajmëruar. Dhe në të dyja rastet punojmë me gjeneratorë, ndërkohë që dihet se çmimi i naftës ka shkuar 135 lekë/litri. Kështu ne dalim me humbje, duke rrezikuar edhe falimentin.
Nga ana tjetër, edhe pronari i një fabrike bojërash tha se humbja e tij ditore shkon në rreth 60-70 mijë lekësh dhe se ai është i penalizuar nga kjo gjendje. Në bllokun industrial janë rreth 18 biznese që zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe të cilët ankohen për ndërprerjen e energjisë.
Ndërkohë, në OSSH dega Fier askush nuk prononcohet lidhur me shkakun e këtyre ndërprerjeve. Burime që s'duan të identifikohen janë shprehur se shkak i mungesës së energjisë është amortizimi i rrjetit shpërndarës të energjisë, si dhe avaritë e pësuara nga shkarkesat natyrore të ditëve të fundit.
Rrjeti elektrik ajror në qytetin e Fierit është i vjetër dhe nuk ka parë rikonstruksion të tij qysh prej më shumë se 30 vjetësh.. E njëjta gjë është edhe për rrjetin elektrik të fshatrave.
E vetmja shpresë për të rregulluar sistemin elektrik të Fierit është ndërtimi i rrjetit 20 kilovolt, i cili ka vite që është përfolur. Kjo do të realizohej me anë të një kredie spanjolle, por prej vitit 1995 nuk është bërë kurrë realitet në terren.
Kristaq Thanasi