E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshon rregullorja, të dënuarit e Vaqarrit në grevë

100 të burgosur refuzojnë ushqimin, kërkojnë më tepër kohë ajrimi dhe uljen e çmimeve nga dyqani institucionit


TIRANË- Rreth 100 të dënuar që ndodhen në institucionin e vuajtjes së dënimin në Vaqarr të kryeqytetit, që nga dita e djeshme kanë refuzuar ushqimin e shpërndarë nga kuzhina e institucionit në shenjë proteste për ndryshimin e rregullores së ajrimit.


Ndryshimi ka ardhur për shkak të ndryshimeve të kohës dhe motit, që ka sjellë pakënaqësinë e rreth 100 të dënuarve bashkë me minorenët që ndodhen në këtë institucion.


Këto fakte bëhen të ditura nga disa të dënuar që ndodhen në këtë institucion dhe që kanë lajmëruar në redaksinë e "Shekullit" me telefon, duke bërë të ditur edhe kërkesat e tyre ndaj drejtuesve të institucionit. Ndërkohë, i kontaktuar me telefon, drejtori i këtij institucioni, Hiqmet Myrepeza, ka mohuar pretendimet e ngritura nga disa të dënuar.


"Mund të jetë ndonjë i dënuar që me iniciativën personale njofton median, por, nuk ka asgjë të vërtetët në këtë mes, asnjë nga të dënuarit nuk ka refuzuar ushqimin",- tha Myrepeza për "Shekullin". Ndërsa, burimet e rezervuara pranë institucionit të burgut u shprehën se mbi 70 % e të dënuarve kanë refuzuar ushqimin. "Që nga dita e sotme (dje) kemi refuzuar ushqimet e burgut.


Kati i dytë që ka 20 dhoma kanë refuzuar ushqimin 15 prej tyre, ndërsa, në katin e parë nga 13 dhoma që ndodhen vetëm pesë prej tyre e kanë refuzuar ushqimin. Këtij refuzimi i janë bashkuar edhe 15 minorenët e dënuar që ndodhen në këtë institucion",- thanë të dënuarit.


Të dënuarit kanë kërkuar ndryshimin e rregullores që është në zbatim. "Të hapen dyert e dhomave për arsye ajrimi nga ora 8:00 e mëngjesit deri në 15:00 të pasdites dhe të shtohet një orë më shumë. Të barazohen çmimet e dyqanit të burgut me ato të tregut, pasi dyqani që ndodhet brenda institucionit ka çmime të dyfishuara.


Të zbatohet rregullorja për lejet e të dënuarve dhe të krijohet një ambient sportiv i mbyllur për të kryer aktivitete sportive",- thuhet në listën e kërkesave të të dënuarve të këtij institucioni. Sipas të dënuarve, greva do të përshkallëzohet në ditët në vazhdim nëse drejtuesit e institucionit nuk marrin masa për ndryshimin e kësaj gjendjeje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›