E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau vëllain pas grindjes për lekët e shtëpisë

Prokuroria mbylli hetimin për Ahmet Vathin, të akuzuar për vrasje nga pakujdesia


TIRANË- Grindja për sasinë e parave që duhej të paguante secili prej vëllezërve Vathi, për detyrimet e familjes, ka qenë sipas prokurorisë indicja që ka çuar njërin prej tyre drejt vdekjes, ndërsa vëllain tjetër në burg me akuzën e vrasjes nga pakujdesia.


Prokuroria e kryeqytetit përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të Ahmet Vathit, mbi të cilin është ngritur vepra penale e "vrasjes nga pakujdesia" e vëllait të tij Zyhdi Vathi, ngjarje e ndodhur rreth tre muaj më parë në Tiranë.


Lajmi bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ku dosja është depozituar dhe caktuar edhe treshja e gjyqtarëve që do të shqyrtojë dosjen penale përkatëse. Ngjarja për të cilën i pandehuri Vathi pritet të gjykohet ka ndodhur pasditen e 5 gushtit të këtij viti në "Porcelan", në rrugën "Qemal Stafa", ku vëllezërit banonin në të njëjtin apartament.


Sipas kërkesës për gjykim të prokurorisë, mësohet se sherri mes Ahmetit dhe vëllait të tij Zyhdi Vathi ka ardhur për shkak të gjendjes së keqe financiare, e cila ka akumuluar stres dhe probleme në familjen e tyre. Dy vëllezërit prej vitesh jetonin në një apartament një plus një të katit të katërt të një pallati, dhe të dy kishin nga dy fëmijë të rritur.


Sherri mes tyre ka filluar kohë më parë, për ndarjen e detyrimeve mes njëri-tjetrit për pagesat elementare të banesës që më pas ka sjellë edhe zënkën e pasdites së 5 gushtit, ku dy vëllezërit janë konfliktuar me grushte.


"Nga hetimet ka rezultuar se Ahmeti sapo ishte ngjitur në banesë dhe kishte hapur dritën e kuzhinës ku Zyhdiu po pushonte. Ky i fundit ka reaguar duke i kërkuar të mbyllte dritën, por kërkesa ka rënë në vesh të shurdhër të Ahmetit. Më pas është ngritur Zyhdi dhe ka ulur çelësin e dritave që ka bërë që të fillojë sherri mes tyre.


Ahmeti ka marrë karrigen dhe disa sende të qelqta dhe e ka qëlluar në kokë vëllanë e tij",-thuhet në dosje. Më pas, ka qenë vetë i pandehuri që me ndihmën e një fqinji e ka dërguar në Spital vëllanë që më pas ka ndërruar jetë, duke bërë që policia vetëm pak minuta më pas ta arrestojë të pandehurin Ahmet Vathi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›