E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjyq dy falsifikatorët e "Rrugës së Kavajës

TIRANË- Prokurorisë së kryeqytetit iu deshën tre muaj kohë për të zbardhjen e dosjes dhe mbledhjen e provave materiale ndaj dy të pandehurve Franc Borova e Roland Papaproko, që prej kohësh falsifikonin dokumente dhe vula të ndryshme zyrtare në Rrugën e Kavajës.


Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, kancelaria e së cilës me ndihmën e shortit elektronik ka caktuar treshen gjykuese me në krye gjyqtarin Altin Abdiu. Sipas dosjes penale, Franc Borova e Roland Papaproko kanë konsumuar veprat penale të "falsifikimit të dokumenteve shkollore" e "falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve" në bashkëpunim.


Mësohet se nga hetimet ka rezultuar se të pandehurit edhe më parë janë proceduar penalisht po për falsifikim dokumenteve dhe janë dënuar për këto krime, që edhe pas lirimit nga burgu kanë vazhduar aktivitetin e tyre të falsifikimit kundrejt 500 lekë deri në 5 mijë lekë të reja.


"Një agjent i policisë së kryeqytetit, me urdhër të prokurorit të çështjes dhe vendimit të Gjykatës është infiltruar në këtë rrjet falsifikimi duke kërkuar nga të pandehurit një sërë dokumentesh dhe vulash të falsifikuara", -thuhet në kërkesën për gjykim.


Sipas dosjes, Papaproko kryente rolin e ndërmjetësuesit mes "hallexhinjve" dhe falsifikatorit, duke i gjetur këtij të fundit klientë të ndryshëm kundrejt shumave të caktuara. Pas arrestimit të tyre më 8 korrik 2009, policia kreu kontrolle në banesat e të pandehurve ku gjeti dhe sekuestroi një sërë dokumentesh të falsifikuara dhe material që përdorej për falsifikim.


Atyre iu sekuestruan dokumente të ndryshme, si diploma të Fakultetit Ekonomik, listë notash po të këtij fakulteti, leje drejtimi për automjetet, si dhe vula të ndryshme të institucioneve shtetërore dhe pikave të kalimit kufitar. F.Vezaj


Dy aksidente shkaktojnë 6 të plagosur


Dy aksidente të rënda i shtohen morisë së madhe të aksidenteve në aksin më të rrezikshëm në vend, Tiranë-Milot. Sot rreth orës 03:30 në afërsi të fshatit Derven janë përplasur dy automjete të tipit Mercedes Benz.


Përplasja ka qenë kokë më kokë dhe nga shpejtësia e madhe goditja që kanë marrë pasagjerët u ka shkaktuar lëndime të rënda. Të dyja makinat kanë qenë me ngjyre të bardhë, njëra prej të cilave me targa Sh 0464 L . Katër persona u nxorën nga automjetet me plagë të rënda dhe u transportuan menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë.


Sipas policisë, shkelja e rregullave të qarkullimit dhe lagështia në rrugë janë bërë shkak i këtij karamboli të fortë. Njëra nga makinat kishte devijuar, mbase edhe për shkak të shikimit të kufizuar që ka pasur në orët e para të mëngjesit.


Nuk ka zgjatur një orë kur është shënuar aksidenti i dytë, afro një kilometër larg nga i pari. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Luz. Një automjet tip "Volksvagen", me targa MT 25 22 A dhe një tjetër me targa të huaja Audi BG 920 LA janë përfshirë në aksident, ku dy automjetet përfunduan jashtë rrugës.


Për pasojë drejtuesit e tyre morën plagë të rënda dhe u transportuan në spital. Sërish komunikata e policisë flet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe lagështisë në rrugë. Aksidentet kanë ndodhur të dyja në kohën kur kishte rënie shirash.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›