Elbasan, qeveria i merr bashkisë rreth 4 miliardë lekë
Vendimi i fundit i qeverisë ka bërë që bashkia Elbasan t'i heqë investimeve të saj për 2010-n 3 miliardë lekë e 150 mijë euro
ELBASAN - Kreu i Bashkisë së Elbasanit deklaron se 3 miliardë lekë do t'i mungojnë arkës së bashkisë dhe po kështu do të mungojnë investimet lokale për shkak të uljes së taksës së ndikimit në infrastrukturë në procesin e legalizimeve. Qazim Sejdini tha se Elbasani do ta vuajë shumë heqjen e fondit të taksës që përfiton ky institucion nga procesi i legalizimeve.
"Sipas ligjit të mëparshëm, bashkia përfitonte 2% të shumës së kësaj takse, por tani kjo shifër është ulur në masën 0.5%. Kjo do të thotë se bashkia do të ketë 3 miliardë lekë të vjetra më pak në arkën e saj.
Janë 3 miliardë lekë investime më pak dhe ajo që dua të theksoj është se këto investime ishin planifikuar të kryheshin pikërisht në zonat informale, të cilat kanë më shumë nevojë për rrugë, kanalizime, infrastrukturë etj.
Pra, ky vendim ka penalizuar në radhë të parë banorët e këtyre zonave", u shpreh Sejdini. Kreu i Bashkisë tha se kjo penalizon buxhetin vendor dhe e kufizon atë në maksimum. Po nuk është ndalur këtu cenimi i autonomisë vendore dhe të ashtuquajturit decentralizim. Një taksë tjetër që i merret bashkisë është edhe taksa për tabelën.
Qeveria ka hequr edhe taksën për tabelën duke e kaluar në taksat kombëtare. "Është një humbje prej rreth 150 mijë eurosh me të cilat gjithashtu mund të kishin kryer disa investime në dobi të qytetarëve të Elbasanit", -vjioi Sejdini. Taksat që kalojnë në qendër, por edhe që janë ulur janë edhe furnizimi i buxhetit vendor për bashkitë.
Ndërkohë, edhe ulja e limitit për bizneset e mëdha bën që një numër i madh i bizneseve të vogla të kalojë në biznesin e madh. Sipas tij gati 50% e bizneseve që ishin nën juridiksionin e bashkisë i kanë kaluar Drejtorisë Rajonale të Tatimeve. "Rreth 50% e biznesit të vogël që administrohej nga tatim-taksa e bashkisë i ka kaluar Drejtorisë Rajonale të Tatimeve. Kjo është kushtëzuar nga ulja e pragut të kalimit nga biznes i vogël në biznes të madh.
Më përpara ky prag ishte 80 milionë lekë të vjetra xhiro në vit. Tani është bërë 40 milionë lekë. Në radhë të parë kjo dëmton vetë biznesin dhe pastaj edhe bashkinë". Bashkia Elbasan numëron 8500 objekte që pritet të legalizohen. Po kështu ka të regjistruar mbi 2500 biznese.
Vendimet e qeverisë dëmtojnë ndjeshëm buxhetin dhe do të reflektohen për vitin 2010 në investime. Kreu i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, tha se bashkë me kryetarët e tjerë të bashkive do të kundërtojnë vendimin e qeverisë deri në Gjykatën Kushtetuese. Këtë vendim kryebashkiakët e cilësojnë cënim të autonomisë vendore. Bardha Nergjoni