E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, bllokohen 4 pika lojërash fati pa licencë

Policia fierake ka bllokuar ditën e djeshme 4 pika lojërash fati pa licencë. Katër subjektet në fjalë kanë operuar në qytetin e Fierit prej më shumë se dy vitesh pa asnjë dokument që tregonte se ato ishin të licencuara dhe brenda ligjeve në fuqi. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Fierit, aktivitetet e paligjshme zhvilloheshin kryesisht në lagjet periferike. Aksioni ka startuar ditën e djeshme në më shumë se 12 subjekte lojërash fati në qytet dhe nga kontrollet e ushtruara ka rezultuar se vetëm këto katër subjekte nuk posedonin licencë. Blutë fierake në një deklaratë për shtyp kanë treguar se subjektet në fjalë nuk kishin asnjë dokument që të vërtetonte kontratën e tyre me drejtorinë e tatim- taksave, pra që të paguanin rregullisht detyrimet ndaj shtetit. Pasi është ushtruar kontrolli, efektivët e policisë kanë kryer edhe sekuestrimin e pajisjeve që ndodheshin në këto subjekte duke u lënë pronarëve të tyre mundësinë e rihapjes së këtyre subjekteve, por duke kërkuar prej tyre edhe plotësimin me dokumentacioni përkatës dhe regjistrimin pranë zyrës së tatim- taksave. Në të kundërt, policia e qarkut Fier ka bërë të ditur, se në rast përsëritje të kësaj situata për pronarët e subjekteve do të këtë masa ndëshkuese, jo vetëm me bllokim aktiviteti, por edhe me ndjekje penale për ta. Ndërkohë të katër pronarët po hetohen në gjendje të lirë deri në plotësimin e dokumentacionit për pajisje të biznesit të tyre me licencë. Sipas burimeve policore të gjitha pajisjet e sekuestruara do të mbahen të bllokuara në një vend të veçantë, në mjediset e komisariatit, dhe sapo të bëhet licencimi i aktivitetit, pronarët mund të paraqiten për ti tërhequr ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›