Dhoma e Tregtisë sugjeron masat për përballimin e krizës
Asambleja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ka diskutuar dje për krizën ekonomike globale, e cila dihet që ka prekur edhe vendin tonë. Gjatë mbledhjes së djeshme, kjo asamble doli në disa propozime të rëndësishme për përballimin e krizës. Sipas asamblesë së Domës së Tregtisë, disa masa kyçe për menaxhimin dhe përballimin e krizës ekonomike në vendin tonë është nevoja e ngritjes së një komisioni koordinativ-konsultativ antikrizë i nivelit të lartë,
ku të jenë të përfaqësuar më së paku biznesi shqiptar, Banka e Shqipërisë, Qeveria, Komisioni i Ekonomisë dhe i Ligjeve të Parlamentit Shqiptar, si dhe çdo faktor tjetër me influencë në ekonomi, funksionim sa më shpejt i Qendrës Kombëtare e Liçencimit, legalizimi i aseteve tregtare, heqja e TVSH për importit e makinerive prodhuese dhe atyre të mekanikës bujqësore. Sipas DHTI, përveç këtyre masave e rëndësishme do të ishte edhe që TVSH të paguhet vetëm në rastin e rieksportimit të këtyre makinerive, të ulet TVSH për importin e makinerive për përdorim në industrinë e ndërtimit dhe vlera e kësaj TVSH-je të paguhet me këste te zgjatura. Gjithashtu, sipas DHTI, për një periudhë të caktuar duhet të hiqet taksa hipotekore. Një tjetër sugjerim do të ishte dhe heqja e pagave të referencës për sektorët e ndërtimit, të prodhimit dhe për biznesin e vogël. Po ashtu, investimi në drejtim të promovimit efektiv të resurseve natyrore, ideimi dhe mbështetja e programe realiste që ndihmojnë konkretisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kreditimi me kredi të buta (ose kredi ku shteti paguan një pjesë të interesit të kredisë), asistimi i fermerëve në përzgjedhjen e produkteve që do të prodhojnë si dhe gjatë procesit të prodhimit do të ishin masa thelbësisht të nevojshme në përballimin e krizës.