E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukulla

Edmond Arizaj 

Kundër kujt kërkon të protestosh zoti Rama? Përse kërkon të protestosh zoti Rama? A nuk u paralajmërove një vit rresht të jesh i kujdesshëm në marrëveshjet me Sali Berishën për zgjedhjet? A nuk u paralajmërove se Sali Berisha e ka “të rëndë” dorën ditën e zgjedhjeve dhe ditët pas tyre? A nuk u paralajmërove të kesh kujdes me kartat e identitetit, se do të dilte ndonjë yçkël në fund, teksa të dolën mbi 250 mijë yçkla? A nuk u paralajmërove se KQZ nuk do ta kesh pas vetes? A nuk u paralajmërove të mos shkoje në betejë me hile, si për aleatët-kundërshtarë, ashtu edhe për aleatët në koalicion? A nuk u paralajmërove të mos ishe tepër makut në urinë tënde politike? A nuk u paralajmërove të mos kërkoje të ishe padroni i Shqipërisë? Je paralajmëruar zoti Rama. Dhe jo vetëm për këto. Edhe për shumë të tjera. Por paralajmërimeve u ke qeshur në fytyrë dhe i ke tallur me ramëzat e vogla, që sot nuk dihet ku kanë humbur. Ti nuk mund të protestosh kundër një sistemi ku je gjysma e së tërës.
Nuk ke pse e nxjerr sërish popullin në protesta zoti Rama. Populli të dha votën, megjithëse nuk i ofrove asgjë. Të dha shumë vota, mijëra vota, qindra mijëra vota. Populli t’u përgjigj pozitivisht, megjithë negativizmin tënd. Populli të besoi ty, megjithëse je i pabesueshëm. Ku i ke deputetët zoti kryetar? Kjo është protesta e vërtetë që duhet të bëjë populli. Pse na gënjeve zoti kryetar? Këtë llogari duhet të kërkojë populli zoti Rama. Dhe këtë ti e di fort mirë. E di mirë dhe prandaj acaron situatën, këtë radhë pa e nëpërkëmbur të ndershmen politikë të re. E di mirë që një ditë do të duhet të japësh llogari dhe prandaj shfryn në emër të Partisë Socialiste, së cilës kishe ndot t’ia përmendje emrin. Je i vetëdijshëm që dështove dhjetëfish më shumë sesa Fatos Nano, bashkë me formulën alkimike përtej së majtës e së djathtës.
Ti i premtove popullit se vota e tij është shumë e ruajtur. Ti i premtove popullit se vota e tij do të sigurohej edhe më mirë se në 2007. Ti i premtove popullit të votojë i qetë se grupet e gatshme janë stërvitur mirë. Ti i premtove popullit të votojë për TY se komisionerët janë të betuar. Dhe sot pa asnjë pendesë, pa asnjë kërkesë ndjese, pa asnjë kokëulje, pa asnjë grimë fajësie, i kërkon të njëjtit popull të dalë në protestë, t’i rikthehet politikës së vjetër, t’i rikthehet politikës së rrugës, t’i rikthehet politikës së Fatos Nanos e Sali Berishës, t’i rikthehet destabilitetit. Deputetët nuk i humbi populli, deputetët i humbe ti (tani duhet ta ndiesh thellë se sa hidhur të vjen kur të vjedhin qoftë edhe një votë, kur të trajtojnë në emër të shumicës së kartonave, kur të tallin për kërkesat) së bashku me celulën tënde dhe në protesta duhet të dalësh ti dhe celula jote, jo shqiptarët dhe djemtë e tyre. Ata kanë dalë disa herë për votën, si të majtët, ashtu dhe të djathtët. Ti do thuash që nuk kanë dalë asnjëherë përtej së majtës dhe të djathtës, por e sigurt është se asnjë votë serioze, sidomos në Fier e në Berat nuk e ke marrë për këtë lloj politike. Vota është hedhur se ata atje, që ti kërkon sot t’i luash në fushë, janë të majtë, janë antiberishë dhe janë me Partinë Socialiste, jo me PS-në tënde.
Ti e di shumë mirë që je humbës. Ti e di shumë mirë se s’ke asnjë të drejtë të kërkosh më nga shqiptarët. Ti e di shumë mirë se nuk duhet të bësh të fortin dhe trimin tani që lufta ka mbaruar. Sepse nuk dihet se kë bëje kur historia politike shqiptare të thirri për të shënuar emrin me gërma të arta. Nuk dihet se ç’mendoje kur shqiptarët ofruan gjokset dhe zemrat në këmbët e tua. Në marsin e 2008 ty t’u dha shansi të ishe lideri i padiskutueshëm, të rrëzoje me një lëvizje të gjithë kundërshtarët e tu, të shkëpusje nga pushteti Berishën dhe ta merrje të ëndërruarin pushtet të gjithin për vete. Por ti frenove llavën shqiptare për inate fëmijësh dhe pazare adoleshentësh. Për 25 jetë, ti nuk ngrite një britmë. Sot nuk të takon të kërkosh me ulërima protesta. Nëse të kanë vjedhur votat (ashtu siç thua) me një ligj që e propozove vetë, me një kod që e propozove vetë, me një ushtri që e ngrite vetë, me kundërshtarë që i zgjodhe vetë, atëherë je dhjetë herë humbës. Padyshim që protestat mund të bëhen, madje të mëdha dhe të egra, por jo për ty. Janë protesta të njerëzve që ti i le sërish në opozitë dhe pa punë.
Ti e di shumë mirë se po kërkon mundimshëm alibira. Po kërkon si fëmijët ta heqësh fajin nga vetja për “gotën e thyer”. Po kapesh hiç pa u skuqur te lëvizjet e atyre që as emrin nuk doje t’u dëgjoje, jo më t’i përmendje. Sot për habi i ke fjali të parë, sot për habi edhe akrepat e tu mediatikë i begenisin. Sepse sot ty të duhen, të duhen me shpresën e mjerë se zemërimi shqiptar do të bjerë mbi ta dhe disi mund ta arrish. Sepse prej vitesh ti luan me pasionin e shqiptarëve, por luan edhe me nivelin e inteligjencës së tyre. Ti me demagogjinë dhe elokuencën për t’u lavdëruar (gjithmonë kur s’ke të tjerë përballë) ke dhjetë vjet në qeverisje, e kishe të lehtë të merrje qindra mijëra votat e atyre që do të votonin edhe një breshkë po njëlloj, mjafton të ishte në atë post.
Ti padyshim do të vazhdosh të jesh kryetari i partisë tënde. Jo pse je bërë më i fortë. Ti s’ke qenë kurrë i fortë. Por sepse disa kanë nevojë që t’i të jesh aty ku je. Tashmë je kukulla e tyre. Të urojmë të mos kesh fatin e sulltan Muratit I.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›