E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatësja e Apelit Vlorë shpallet debitore te “Cenaj”

 

TIRANE - Iliba Bezati, gjykatëse e Apelit të Vlorës, është shpallur debitore e ish-firmës piramidale “Cenaj”. Vetëm pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës ka vendosur lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, në bazë të vendimit që kanë nxjerrë më 15 korrik 1999 administratorët e fajdeve. Kështu, pak ditë më parë, gjykata e kryeqytetit shqyrtoi çështjen civile, me palë kërkuese administratorin e pavarur të ish-piramidës “Cenaj” në administrim, përfaqësuar me autorizim në gjyq. Objekti i gjyqit është lëshimi i urdhrit të ekzekutimit për vendimin numër 10, datë 15 korrik 1999 të administratorëve mbi shpalljen debitor për shumën 200 mijë lekë për Iliba Bezati. Në vendimin e shpallur pak ditë më parë, për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, gjykata e kryeqytetit ka argumentuar se: “Me vendimin numër 10, datë 15 korrik 1999 të administratorëve të fajdeve, konkretisht, administratori i pavarur “Cenaj” sh.p.k në administrim, është vendosur shpallja debitor e qytetares Iliba Bezati për shumën 200 mijë lekë të reja”. Më tej gjykata ka argumentuar se: “në bazë të nenit 5 të ligjit 8471, datë 8 prill 1999, vendimet e administratorëve përbëjnë urdhër ekzekutimi, dhe në bazë të nenit 510/c të Kodit të Procedurës Civile, çmohet se duhet lëshuar urdhri i ekzekutimit të vendimit të mësipërm”. Përfundimisht togat e zeza të kryeqytetit kanë vendosur pranimin e kërkesës së paraqitur nga administratorët e ish-firmës piramidale “Cenaj”, që ka vepruar para vitit 1997. Pika e dytë e vendimit gjyqësor është lëshimi i urdhrit të ekzekutimit të vendimit numër 10, datë 15 korrik 1999, mbi shpalljen debitor të Iliba Bezatit, për shumën 200 mijë lekë. Në këtë proces shpenzimet gjyqësore i janë ngarkuar kërkuesit. Prej disa vitesh në duart e administratorëve të ish-firmave piramidale kanë mbetur qindra dosje të debitorëve të piramidave, të cilat nuk ishin ekzekutuar për arsye të ndryshme. Pas plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm, ata kanë dorëzuar në gjykatë kërkesat për lëshimin e urdhrave të ekzekutimit, ose e thënë ndryshe për të urdhëruar përmbarimin që të bëjë të mundur rikthimin e shumave të tërhequra para vitit 1997, në kohën kur këto kompani mashtruese patën lulëzimin e tyre nëpërmjet aktivitetit huamarrës.   fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›