E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, grabitet per skrap pusi i naftes

Tregjet ndërkombëtare janë të etur për metale dhe shqiptarët nuk po kursejnë asgjë për të përfituar nga situata. Vjedhjeve të guximshme të telave të linjave elektrike, urave me konstruksion metalik, deri edhe monumenteve prej bronzi, u është shtuar dje një tjetër ngjarje e jashtëzakonshme: Në zonën naftëmbajtëse të Fierit është vjedhur kulla metalike e një pusi nafte. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të policisë së Fierit që saktësojnë se në fshatin Ruzhdie, 24 kilometra larg qytetit, është vjedhur kulla e një pusi nafte në prodhim.

Policia është sinjalizuar për këtë vjedhje të pazakontë rreth orës 16:00 të ditës së djeshme. Kur kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ekspertët e policisë kanë gjetur të rrëzuar përtokë vetëm gjysmën e kullës metalike, ndërsa gjysma tjetër ishte sharruar dhe ishte marrë nga hajdutët. Pusi i naftës ka qenë në punë në momentin e vjedhjes, ndaj shkëputja e kullës ka shkaktuar çarjen e tubacioneve e për pasojë derdhjen e naftës në terren të hapur. Pusi i përkiste një prej sektorëve të Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës Patos, në varësi të kompanisë "Albpetrol". Po të njëjtat burime pohojnë se telefonata është bërë nga disa banorë të fshatit Ruzhdie të komunës me të njëjtën emër. Banorët, duke u rrezikuar nga përmbytja prej naftës që dilte nga pusi e që po përparonte në drejtim të banesave të tyre, kanë kërkuar ndihmën e policisë.

Ekspertët e policisë dhe ata të Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës, që shkuan në vendngjarje, thanë se kulla metalike është rrëzuar duke u tërhequr nga një automjet. "Pasi e kanë rrëzuar në tokë, hajdutët kanë sharruar gjysmën e kullës, duke e ndarë në pjesë të vogla dhe e kanë ngarkuar në një kamion. Banorët e zonës kanë shkuar në vendin e ngjarjes kur hajdutët ishin larguar", tha një oficer i policisë gjyqësore, i cili ishte dje në fshatin Ruzhdie. Në vendin e ngjarjes është gjetur një sharrë që vjedhësit e kishin lënë pranë kullës së rrëzuar. Menjëherë pas marrjes së provave dhe verifikimit të vendit të ngjarjes, policia ka nisur të marrë dëshmitë e banorëve të fshatit, shtëpitë e të cilit ndodhen vetëm 200 metra larg pusit në fjalë. Bëhet e ditur se policia ka siguruar dëshmi të mjaftueshme, ndërkohë që ka ushtruar kontrolle në shumë prej banesave të fshatit Ruzhdie me qëllim gjetjen e pjesëve të kullës së prerë.

Ndërsa hetimet për zbulimin e autorëve të vjedhjes së kullës metalike po zhvillohen intensivisht, punonjësit e Ndërmarrjes së Prodhimit të Naftës në Patos po përpiqen të ndalojnë rrjedhjen e naftës në terren të hapur. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se një sipërfaqe prej 3 dynymësh tokë është mbuluar nga nafta, ndërsa lëngu i zi po përparon në drejtim të fshatit. Mësohet se nga rrjedhja e naftës janë shkaktuar dëme në të mbjella.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›