Paloka: Ndryshimet kushtetuese do të sjellin stabilitet politik
Debati i një dite më parë në grupin parlamentar të PD-së për sistemin e ri zgjedhor, është vlerësuar dje si zhvillim pozitiv nga deputetët Edi Paloka dhe Ferdinand Xhaferri. "Debatet në PD duhen parë nën dritën e demokracisë brenda kësaj partie", është shprehur Paloka. Duke sqaruar edhe debatet për sa i përket në mbledhjen e grupit të PD-së,Paloka ka theksuar se aty u shfaqën mendime të ndryshme, gjë që nuk e dëmton partinë. "Diskutimet u përqendruan te sistemi elektoral dhe mendimet ishin të ndryshme. Një nga pikat që ishte aty, për kundërfirmën që duhet të kishin dekretet e Presidentit, edhe Berisha tha që nuk mendon se është diçka e nevojshme", është shprehur Paloka para mediave. Ndërsa në lidhje me ndryshimet kushtetuese ai ka deklaruar se ato sjellin stabilitet politik, duke argumentuar se nuk ka asnjë sistem zgjedhor që përcakton fitoren e një partie. "Duket sikur ky sistem përjashton të vegjlit, por krijon stabilitet. Me aleatët do të gjendet një zgjidhje që do të jetë e favorshme si për ata si për ne", është shprehur Paloka. Qëndrim i cili është përforcuar edhe nga deputeti tjetër i PD-së, Ferdinand Xhaferri. Ai ka deklaruar se propozimet e majta vijnë si një paketë e plotë kushtetuese për të siguruar stabilitet politik. "Propozimi i opozitës për një sistem proporcional rajonal prodhon stabilitet dhe ne shkuam më tej, duke kërkuar ndryshime kushtetuese edhe për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit apo promocionin e Kryeministrit dhe të tria së bashku janë ndryshime kushtetuese që shprehin një maturim politik dhe i japin vendit atë që i duhet në të ardhmen e afërme", është shprehur Xhaferri. Gjithashtu, Xhaferri ka theksuar se "në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së ka pasur diskutime të cilat ishin në rezonancë dhe konvertuan në një shqetësim të përbashkët sesi anija demokrate të ankorohet me më efektivitet në sistemin zgjedhor". Një ditë më parë, kryetari i grupit të PD-së, Patozi, ka deklaruar se nenet e propozuara për ndryshim nuk janë paragrafë të Biblës apo të Kuranit, për të mos iu nënshtruar ndryshimeve. Patozi i mëshoi fort faktit se propozimet e PD-së për ndryshimet në Kushtetutë tashmë janë bërë publike dhe nuk ka më kthim mbrapa, megjithatë ai lë ende vend të hapur për diskutime gjatë ditëve në vazhdim. Në këtë mënyrë, mazhoranca po humbet terren brenda vetes së saj, duke dështuar edhe në tentativën për të joshur aleatët lidhur me ndryshimet në Kushtetutë. Duket se strategjia e vetme e Kryeministrit Berisha për të zhdukur konfliktualitetin jo vetëm brenda Kuvendit, por edhe brenda Partisë Demokratike, është të lërë në dorë të popullit zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm dhe të tërhiqet nga ndryshimi i nenit 93 të Kushtetutës, duke mos ndryshuar kompetencat e kreut të shtetit.