E Shtunë, 31 Tetor 2026

Postmodernizmi si "fiksin i rikulifikuar"

Edhe pse nuk është aspak e lehtë të përcaktohen "pionierët" e mendimit postmodern, shumica e studiuesve mendojnë se dy ndër të parët që përuruan debatin postmodernist, janë mendimtarët e shquar, Liotard dhe Habermas. Kurse merita për hedhjen e bazave të postmodernizmit estetik i atribuohet autorit Charles Jenks, reflektuar kjo në esenë e tij të njohur "Gjuha e arkitekturës postmoderniste" (Londër, 1997).

Në një përfundim të tillë arrin studiuesi Hajnrih Klotz, i cili, në fillimet e teorizimeve të tij do ta shihte postmodernizmin si një fazë të re të modernizmit, si një "modernizëm të dytë". Por më pas, edhe ai do t‘u nënshtrohej gjykimeve të përgjithshme e modës së kohës, për t‘i ndarë e dalluar postmodernizmin dhe modernizmin në rrafshet etike, artistike e filozofike.

Hajnrih Klotz do të shprehej se "Postmodernizmi është rimëkëmbje estetike e fiksionit", duke përcaktuar kështu njërën prej veçorive më karakteristike e më domethënëse të artit postmodern në përgjithësi e të letërsisë në veçanti. Një pohim i tillë, me siguri, duket të jetë i mbështetur edhe mbi teorizimet e mëparshme të studiuesve të postmodernes, si edhe mbi vëzhgimet e autorit rreth modeleve arkitekturore e atyre të arteve vizive, ku shfaqeshin dukshëm tendencat postmoderniste. Sidoqoftë, me gjithë "mungesën e origjinalitetit" (kjo mungesë do ta karakterizojë gjithë teorinë dhe praktikën postmoderne!), thënia e mësipërme e Klotz-it, e shprehur gati-gati në formën e një aksiome, merr vlera të rëndësishme për ta karakterizuar e specifikuar postmodernizmin në art.

Konkluzioni i sipërcituar i Klotz-it se "postmodernizmi është rimëkëmbje estetike e fiksionit", përmban në vetvete "thelbin" e estetikës së postmodernizmit në përgjithësi tek artet dhe në veçanti te letërsia; edhe pse, e përsërisim, është thuajse e pamundur të bëjmë fjalë për një estetikë të përcaktuar e përfundimtare të postmodernes. Mjafton t‘i hedhim edhe një sy skemës së pakmësipërme dhe të shohim raportet e postmodernizmit me formacionet e tjera letrare, që të bindemi në mprehtësinë intriguese e rëndësinë teorike të konkluzionit.

Në këndvështrimin e Klotz-it, postmodernizmi "nuk bën gjë tjetër" përveçse rimerr, rikualifikon apo rimëkëmb fiksionet e dikurshme e që u "përkisnin" formacioneve të mëparshme letrare. Një konkluzion i tillë është tepër i rëndësishëm për estetikën dhe praktikën e postmodernizmit, sepse nuk e sheh postmodernizmin në raporte të ndara "armiqësie" me formacionet e tjera letrare, por në marrëdhënie të vazhdueshme e fort "miqësore" dhe ku postmodernizmi, duke qenë i fundit formacion deri më tash, ka privilegjin të rimarrë e të shfrytëzojë çka të dëshirojë prej të gjitha formacioneve të mëparshme letrare.

Thënia e cituar e Klotz-it merr domethënie të rëndësishme veçanërisht në rastin e raporteve mes modernizmit dhe postmodernizmit nisur prej faktit se jo rrallë këto dy formacione janë parë në "armiqësi të papajtueshme" njëri me tjetrin, aq sa postmodernizmi është quajtur edhe "antimodernizëm". (Natyrisht që angazhimi i termave kaq luftarakë si armiqësi, konflikt, anti etj., nuk duket se ka fort sens në rrafshin e teorisë e praktikës letrare, kur mjafton të kujtojmë se vetëm përdorimi i prefiksit "post" paraqitej jo pak problematik e i diskutueshëm. Një fjalor të tillë jemi "të detyruar" ta përdorim thjesht për ta bërë dijen teorike sa më të kapshme nga lexuesit, aq më shumë kur bëhet fjalë për një argument kaq të ndërlikuar e të hallakatur).

Është e vërtetë se postmodernizmi i kundërvihet modernizmit në rrafshet estetike e shprehëse, por kjo nuk ndodh sepse "poetika moderniste ka dështuar", siç ngjet të pohojnë teoricienë të ndryshëm të postmodernes. Një poetikë nuk dështon, por thjesht e kryen misionin e saj; përmbush "detyrimet" e saja përballë ndjeshmërive e kërkesave të një epoke të caktuar, për t‘ia lënë vendin një tjetër poetike. Kështu, edhe poetika e modernizmit ia lë vendin asaj të postmodernizmit, e cila i përgjigjet ndjeshmërive e realiteteve të reja. Por ky zëvendësim poetikash nuk mund të themi se ka karakter të plotë mohues e përjashtues. Nëse perifrazojmë konkluzionin e Klotz-it, mund të themi se më shumë kemi të bëjmë me "rimëkëmbje të poetikës".

Në mbështetje të kësaj që thamë deri më tani, argumentet më inkurajuese mund t‘i sjellim nga lloji i prozës, ku edhe postmodernizmi letrar shfaqet më dukshëm e më bindshëm. Kështu, analogji interesante mund të dallojmë mes prozës postmoderniste dhe prozës së barokut. Për prozën e periudhës së barokut, studiuesi i njohur, Bahtin, do të shprehej mes të tjerash: "Romani barok nënkupton në vetvete dallueshmërinë e zhanreve të pranishëm. Ai tenton të bëhet njëfarë enciklopedie e të gjitha thyerjeve të gjuhës letrare të epokës; bile, edhe enciklopedi e të gjitha dijeve dhe informacioneve të mundshme filozofike, historike, politike, gjeografike etj. "Është e vërtetë se fiksioni i postmodernizmit ka trashëguar e marrë jo pak nga kjo lloj proze e barokut - për të cilën flet edhe Bahtini - por këtë e ka bërë duke e rikompozuar e duke e rikualifikuar fiksionin barok, çka nënkupton kontekste e elemente të reja në kuadrin e një epoke dhe të një ndjeshmërie të re, domethënë asaj postmoderne. Kështu, në rastin e "barokut postmodern" do të gjejmë të pranishëm elementë e kategori të mëparshme ose të reja letrare, të tilla si për shembull: hedonizmi, reflektimi i "pasqyrës së thyer", historikja, mjedisorja, trivalja (e rëndomta), detaji dhe dekori krejt i veçantë. (Elemente të barokut gjen në mjaft autorë, që kanë dëshmuar tendenca postmoderne. Mjafton të kujtojmë disa prej veprave të fundit të shkrimtarëve të tillë të njohur si: Selman Ruzhdie, Umberto Eco, V. S. Naipul, Orhan Pamuk, Filip Roth etj.)

Nëse u përqendruam kaq gjatë te raportet fiksionale mes prozës së barokut dhe asaj postmoderniste, kjo nuk do të thotë se raporte interesante e që mbështesin citimin e Klotz-it, mungojnë në rrafshe krahasuese me formacionet e tjera letrare. Kështu, një vështrim i shpejtë krahasues i sentimentalizmit e romantizmit me postmodernizmin, na sjell jo pak argumente në mbështetje të tezës së Klotz-it, në të cilën postmodernizmi shihet si një fiksion i rikualifikuar. Një prej elementëve karakteristikë të fiksionit sentimentalist, siç ishte për shembull ndjeshmëria tipike melodramatike (kujtoni "Vuajtjet e djaloshit Werter" të Gëtes), gjen vend herë-herë edhe në fiksionin postmodern; por kësaj radhe bëhet fjalë për një "ndjeshmëri të rikualifikuar", për një "ndjeshmëri postmoderniste" e ku janë të pranishëm elementë të tillë të postmodernes, si për shembull vetironia, cinizmi etj. Raporte të tilla rikualifikuese ndërton postmodernizmi edhe me romantizmin. Kategori të tilla të romantizmit si kombëtarja e popullorja, emocionalja e sublimja, fragmentariteti e metaforizmi etj., rimerren e rikualifikohen shpeshherë në praktikën postmoderne, sidomos në prozë. Lojëra të tilla rimarrëse e rikualifikuese bën për shembull Italo Calvino me përrallat popullore e legjendat italiane, Orhan Pamuk, me kombëtaren e historiken e popullit të tij etj. Pra, në praktikën postmoderniste kemi të bëjmë gjerësisht me raste të kualifikimit e ridimensionimit fiksional, të dhëna, natyrisht, në kontekstet e një ndjeshmërie të re postmoderne. Por kjo nuk do të thotë aspak, që të mos e kundrojmë postmodernizmin si një fenomen të mëvetësishëm letrar (në rastin tonë), i cili ka, ose përpiqet të ketë ndjeshmërinë, gjuhën e ligjësitë e veta të shprehjes.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›