E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, plagosen me një djegore predhe të vjetër dy adoleshentë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur në mesditë fshatin Lozhan të Korçës, kur dy fëmijë kanë mbetur të plagosur nga një djegore predhe. Shpërthimi që është dëgjuar në fshat ka vënë në alarm banorët, të cilët ndërsa kanë rendur për të parë se çfarë ka ndodhur në një minierë të vjetër në afërsi të fshatit, nga ku u dëgjuan edhe shpërthimet, kanë gjetur të plagosur dhe të mbuluar në gjak dy fëmijë, përkatësisht 13 dhe 14 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një miniere të vjetër dhe të braktisur në zonën mes Moglicës dhe Lozhanit. Dy fëmijët kishin shkuar për të luajtur te miniera e vjetër jashtë funksionit, por në afërsi të një tuneli, në një nga hyrjet për në galeritë e vjetra, kanë gjetur një djegore predhe. Dy fëmijët E.S dhe P.A, të dy nga fshati Lozhan, sipas policisë janë aksidentuar me plagosje, pasi ndezësi i ndryshkur u ka shpërthyer pranë. Fëmijët që kishin gjetur në afërsi të tunelit një ndezës predhash luftarake në formë shisheje e kishin marrë për të luajtur pa e ditur rrezikshmërinë e saj. Por ndërsa e kanë nxjerrë jashtë për të vazhduar lojën, fëmijët e kanë flakur, duke e përplasur me një gur. Sipas policisë, nga goditja me gurin ka ndodhur edhe shpërthimi i ndezësit, që ka shkaktuar edhe plagosjen e dy fëmijëve. Ngjarja e rëndë, sipas policisë, ka ndodhur në orën 15:30 të ditës së djeshme. Kanë qenë banorë të zonës të cilët kanë njoftuar fillimisht për një shpërthim që vinte nga miniera e vjetër, ndërsa më pas kanë gjetur edhe dy fëmijët. Sipas të dhënave të policisë, dy të plagosurit kanë marrë dëmtime në bark dhe në gjymtyrët e poshtme. Policia tha se E.S, 14 vjeç dhe P.A, 13 vjeç janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Korçës për shkak të dëmtimeve trupore të marra nga shpërthimi. Të dy të plagosurit i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa janë mbajtur nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe kirurgëve të spitalit civil të Korçës. Sipas bluzave të bardha, fëmijët, edhe pse me plagë të rënda, nuk janë në gjendje kritike për jetën. Të plagosurit do të mbahen në reanimacion dhe nën kontrollin e vazhdueshëm mjekësor. Mjekët kanë deklaruar se gjendja shëndetësore e një prej të plagosurve është e mirë, pasi ka dëmtime vetëm në pjesën e këmbëve, ndërsa më keq është 14-vjeçari që ka marrë plagë në pjesën e barkut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›