E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Të mblidhet tryezë politike për ndryshimet kushtetuese

PDK-ja ka kërkuar dje që PD-ja të organizojë një tryezë të lartë politike parlamentare, me ekspertë të njohur të ligjeve, për të diskutuar dhe vendosur me mirëkuptim të gjerë mbi reformat që prekin direkt të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Nënkryetari i grupit të PDK-së, Jak Ndokaj, gjatë një konference për shtyp u ka kërkuar të gjitha forcave të politikës parlamentare që të heqin dorë nga show mediatik me Kushtetutën. Sipas tij, propozimet për ndryshime në Kushtetutë kërkojnë një konsensus të gjerë deputetësh dhe të opinionit publik, gjë që nënkupton një mirëkuptim përtej palëve politike. "PDK mendon se ndryshimet në Kushtetutë nuk duhet të ndodhin sa më shpejt që të jetë e mundur, por duhet të ketë një dialog të gjerë mes palëve për këtë qëllim. Eksperienca në politikë gjatë viteve, ka treguar se ndryshimet në Kushtetutë janë të nevojshme, por askush nuk duhet të tregohet i ngutur për të bërë ndryshime të pamenduara", është shprehur deputeti Jak Ndokaj. Sipas tij, "PDK i sheh ndryshimet në Kushtetutë si element për mirëfunksionimin e shtetit shqiptar, ndaj dhe kërkohet kujdes dhe maturi për ndryshime të mundshme". Qëndrimi i deputetit Jak Ndokaj është përforcuar nga Elbasani edhe nga kryetari i PDK-së, Ndoka, i cili ka theksuar se "konsensusi në politikë duhet të na shërbejë për të realizuar reforma jetike për vendin. Reformat nuk duhen të shihen vetëm si realizim numrash në Kuvend, por si një mundësi për të arritur një mirëkuptim të gjerë mes palëve".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›