Fier, helmohen me akullore, përfundojnë në spital 4 fëmijë endacakë
Pakujdesia dhe stina e nxehtë ka rikthyer rrezikun për fëmijët në qytetin e Fierit. Këtë radhë,viktima të një helmimi nga akulloret janë bërë 4 fëmijë endacakë, të cilët janë nisur me urgjencë në spitalin e Fierit. Ende nuk është bërë e ditur se kush ua dha fëmijëve akulloret, por ajo që dihet është që njëri prej tyre, më i vogli, rrezikoi jetën. Fëmijët janë A. R., 3 vjeç, M. N., 4 vjeç dhe D. A., e L. R., që të dy 6 vjeçarë. Gjatë gjithë kohës 4 vogëlushët endeshin rrugës duke lypur cepave të qytetit, por dita e djeshme për ta ka qenë fatale.
Kalimtarë të rastit kanë treguar se kanë parë fëmijët të shtrirë të gjithë përtokë, dhe janë trembur jashtëzakonisht shumë. Mendova se i kishin vrarë. Jam terrorizuar. I kisha parë këta fëmijë gjithandej, madje disa herë më kishin zgjatur dorën për lëmoshë dhe u isha gjendur, por kur i pashë të shtrirë pranë njëri-tjetrit jam trembur shumë. Përveçse ishin shtrirë si të pajetë, vazhdonin të kishin temperaturë të lartë dhe të vjella. Ishin fare të pafuqishëm. Menjëherë mora tim shoq dhe i futëm në makinën tonë për ti çuar në spital. Aty morën ndihëm e parë dhe me përjashtim të më të voglit, të tjerët janë mirë, treon Moza, gruaja që u gjend e para në ndihmë të tyre, madje ajo ka hequr edhe të gjitha shpenzimet e fëmijëve në veshmbathje dhe ushqim. Bluzat e bardha ndërkohë kanë deklaruar se ka qenë konsumimi i akulloreve ai që ka sjellë intoksikacion tek fëmijët e vegjël. Kjo është vërtetuar nga të vjellat e shpeshta dhe gjendja e fëmijëve në momentin e kontrollit nga mjeku. Të gjithëve u është bërë lavazh nëpërmjet serumeve, ndërsa gjendja e tyre ka vijuar në përmirësim e sipër me përjashtim të më të voglit A. R., i cili ishte më rëndë. Ndërkohë përballë kësaj ngjarjeje duket se nuk mund të gjendet një autor, pasi fëmijët nuk kanë qenë në gjendje të japin detaje dhe shpjegim rreth asaj që kishin konsumuar. Madje fëmijët nuk kanë ditur të thonë nëse e blenë apo ua dha dikush akulloren. Sipas informacioneve nga spitali, tre fëmijë i janë rikthyer normalitetit në shtëpitë e tyre, ndërsa më i vogli do të vazhdojë të marrë mjekim.