Durrës-Kukës-Morinë pranë përfundimit
Paraditen e ditës së djeshme janë bashkuar dy anët e njërit prej tuneleve të aksit rrugor Durrës- Kukës-Morinë që lidh Thirrën e Mirditës me Kalimashin e Kukësit. Ky tunel është inspektuar nga ministri i Transporteve, Punëve Publike dhe i Telekomunikacionit Sokol Olldashi dhe nga ministri i Mjedisit Lufter Xhuveli. Olldashi gjatë fjalës së tij tha se në çdo segment rrugor po punohet me intensitet të lartë që ndërtimi i kësaj rruge që do të lidhë Shqipërinë dhe Kosovën të përfundojë brenda afateve kohore të përcaktuara.
Ministri i Punëve Publike dhe i Transporteve Sokol Olldashi mori dhe konfirmimin e inxhinierëve të firmës Bechtel-Enka se kjo rrugë ka për të përfunduar brenda afateve kohore që është përcaktuar që në fillim të projektit. Sipas ministrit të transporteve Sokol Olldashi me përfundimin e plotë të kësaj rruge Shqipëria do të bënte shumë hapa para drejt Bashkimit Europian. Nga 29 ura, 25 të tilla kanë përfunduar, 2 priten të përfundojnë gjatë javës që vjen dhe 2 të tjera do të jenë funksionale brenda pak kohësh. Në luginën e lumit Fan ku është dhe seksioni i parë i dhe seksioni i parë i kësaj rruge është ndërtuar muri mbajtës më i madhi në botë, plot 38 metra i lartë. Segmenti Rrëshen-Kalimash është i gjatë rreth 61 kilometra dhe do të shkurtojë rrugën drejt Kukësit me plot 109 kilometra, tha ndër të tjera Olldashi,gjatë pasqyrimit të punës së bërë për ndërtimin e kësaj rrugë deri tani. Ndërsa ministri i Mjedisit, Xhuveli theksoi gjatë inspektimit të të gjithë rrugës së Kalimashit se kjo rrugë i plotëson të gjitha standardet mjedisore sipas tij kjo rrugë është ndërtuar në një mjedis të pastër, dhe se është një nga rrugët që i plotëson të gjitha standardet Europiane për mjedisin. Gjatë inspektimit të tunelit kanë qenë të pranishëm edhe kongresmeni Amerikan Robert Aderholt, i cili ishte i shoqëruar nga kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu. Kongresmeni Robert Aderholt tha se hapja e këtij tuneli dhe i gjithë ndërtimi i aksit rrugor Durrës-Kukës-Morinë, i cili do të lidhi Shqipërinë me Kosovën është një vepër e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por për të gjithë rajonin. Inaugurimi i plotë i këtij tuneli gjigand në Shqipëri pritet të bëhet nga kryeministri Sali Berisha në 25 qershor, vetëm tre ditë para zgjedhjeve elektorale. Tuneli që është hapur dje, është me një gjatësi prej 5.6 kilometrash, me një lartësi prej 10 metrash dhe gjerësi prej 13 metrash, ndërsa galeria e dytë e këtij tuneli me po këto përmasa pritet që të përfundojë në muajin shtator të këtij viti. Rruga Durrës -Kukës-Morinë një nga projektet më të mëdha të qeverisë shqiptare ka filluar të ndërtohet në vitin 2007.