E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, kalonte klandestinë kundrejt përfitimit, prangoset 23 vjeçari

U merrte qytetarëve nga 800 euro me premtimin se do të kalonin kufirin pa probleme, por kjo ecejake duket se nuk ka zgjatur shumë për një 23- vjeçar nga Berati. Ishte një operacion i policisë së Mallakastrës, ai që bëri të mundur ndalimin e shtetasit Besnik Hoxha, i cili kishte ndihmuar për kalim të paligjshëm të kufirit tre shtetas, duke u marrë shumën e 2400 eurove së bashku. Tre shtetasit e ndihmuar në këtë mënyrë, janë kapur duke kaluar kufirin por kjo gjë ka nxjerrë në pah edhe emrin e personit që ndihmonte klandestinët për kalim të paligjshëm të kufirit. Burime nga policia e Mallakastrës kanë bërë të diture se tre klandestinët u arrestuan në flagrancë, ndërsa prej tyre u zbardh edhe emri i Hoxhës, i cili rezulton të ketë ndihmuar shumë klandestinë në këtë mënyrë. "Kapja e tre klandestinëve u bë në kufi. Ato po tentonin të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme, ndërsa po këta kanë treguar edhe ndihmësin e tyre si dhe shumat e lekëve që kishin dhënë. Shtetasi Besnik Hoxha është 23 vjeç, lindur dhe banues në Berat. Mendojmë se pas këtij individi fshihet edhe një tjetër person për të cilin po punohet", kanë bërë të ditur burimet policore lokale. Ndërkohë, 23- vjeçari Hoxha, pasi ka çuar në kufi tre shtetasit, mësohet se ka udhëtuar më pas me autobusin e linjës Tiranë-Sarandë-Tiranë, duke u kthyer për në qytetin e lindjes, Berat. Policia ka arritur të vërë në pranga shtetasit F. C., E. H. dhe A. H., të cilët kanë pohuar në ambientet e saj se u ishte dashur të paguanin nga një shumë prej 800 euro secili, të cilat i merrte në dorë shtetasi  Besnik Hoxha, i cili i ndihmonte që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin. Policia kufitare, pasi e ka marrë informacionin të detajuar, ka bërë njoftimet përkatëse në policitë që prek aksi rrugor Kakavijë-Berat. Në kohë, për këtë operacion kanë qenë uniformat blu të Mallakastrës, të cilët kanë bërë postbllok në afërsi të fshatit Hekal, pikërisht në vendin e quajtur Qafa e Kashit, ku kanë ndaluar Hoxhën.Edhe pse nuk jepen shumë detaje, mësohet se policia e Mallakastrës, në bashkëpunim me atë të Beratit, po punojnë për ndalimin e një shtetasi tjetër, bashkëpunëtor i 23- vjeçarit, i cili rezulton të jetë nga Kuçova.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›