Ekspozitë Retrospektivë në 70 vjetorin e lindjes së piktorit Agim Faja
Piktori i mirënjohur shijakas Agim Faja ka çelur ekspozitën Retrospektivë me rastin e 70-vjetorit të lindjes. Ekspozita në fjalë përmban punime të kohëve dhe llojeve të ndryshme, që nga fillimi i krijimtarisë së tij ën vitet 60 dhe deri në vitet e fundit. Në këtë ekspozitë janë përfshirë edhe punime të nipit të tij 7-vjeçar, Francit, i cili është personi i pestë i familjes që merret me pikturë.
Ekspozita është prezantuar në ambientet e Galerisë F në qytetin e Shijakut dhe në të kanë marrë pjesë personalitetet të shumta të artit dhe kulturës. Të pranishëm kanë qenë edhe ministri Sokol Olldashi dhe deputeti i Shijakut Osman Metalla. Në inaugurimin e kësaj ekspozite kritiku Shpendi Topollaj ka vlerësuar krijimtarinë e piktorit të merituar Agim Faja duke theksuar se ai është autor i ilustrimeve të para në libra për fëmijë, libra me tregimet e moçme shqiptare, abetaren e parë etj, piktura të tematikave të ndryshme, por edhe si studiues i trevës së Shijakut për të cilin ka bërë edhe antologjinë me tre vëllime. Skulptori i popullit Muntaz Dhrami ka theksuar se Agim Faja është një piktor i shquar, Shijaku identifikohen me emrin e tij, ashtu si Gjirokastra me Çabejin dhe Pogradeci me Lasgushin. Agim Faja ka lindur në Shijak në 14 mars 1939, ai ka mbaruar Shkollën e Mesme Pedagogjike në Elbasan në vitin 1954 dhe më pas shkon në liceun artistik Jordan Misja në Tiranë, ku përfundon studimet në vitin 1958. Në vitin 1960 ndjek edhe studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve i sapo hapur në atë kohë, ku merr mësime nga pedagogët Vilson Kilica dhe Guri Madhi. Agim Faja është pjesëmarrës në shumë ekspozita kolektive dhe personale. Në vitin 1987 i akordohet titulli Piktor i Merituar, kurse në vitin 1996 presidenti i asaj kohe Sali Berisha i jep titullin Pishtar i Demokracisë. Ai është nderuar edhe me titullin Qytetar Nderi i Shijakut.