Fier, kërkoheshin për vjedhje, arrestohen 3 bashkëpunëtorët
>Policia ka ndaluar tre persona, pasi në një periudhë kohore prej katër muajsh akuzohen se kanë vjedhur gjashtë banesa. Policia e Fierit ka deklaruar se mes këtyre personave, njëri është i mitur. L. DH., është vetëm 14 vjeç dhe rezulton banues në fshatin Hoxharë të rrethit të Fierit. Policia ka bërë të ditur se këta persona kishin ditë të tëra që ishin bërë problem shqetësues për shumë banorë të lagjeve të ndryshme në qytetin e Fierit.
Ngjarjet e vjedhjeve ishin shënuar në lagjet 11 janari, 8 shkurti, Apolonia etj. Mësohet se pre e vjedhjeve bëheshin kryesisht kursimet e familjeve, por nuk mungonin rastet kur ata merrnin edhe rroba dhe orendi të ndryshme shtëpiake. 14- vjeçari L. Dh., mësohet se përdorej nga dy shtetasit, 46- vjeçari Gëzim Kaja dhe 22- vjeçari Emiljan Bllaca për të realizuar vjedhjen e banesave. I mituri është marrë në pyetje në prani të avokatit dhe psikologut, por deri tani ende nuk është mësuar se ku i mbajnë sendet e vjedhura apo edhe lekët që kanë përfituar nëpërmjet kësaj metode.