E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti i Kosovës pa taban kombëtar

>Nga Gjon KEKA*
Pas një lindje të gjatë dhe pas një përpjekje të madhe për liri, barazi, paqe dhe shtet demokratik, tani Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë një strehë e pasigurtë politike. Kjo po ndodh si rezultat i mosrrënjosjes së thellë të institucioneve shtetërore, moskrijimit të sigurtë të shoqërisë kosovare që e ardhmja e tyre është e qartë dhe e palëkundur, mosshtrirja e sovranitetit dhe e ligjit në tërë teritorin e Kosovës, zhvillimi ekonomik po shkon në ecjen e breshkës, siguria është bërë për qytetarët çështje kryesore e shumë e shumë probleme tjera. Në shikim të parë, pas pavarësisë së Kosovës mund të shkojë mendja se Kosova po mban ende gjurmët e së shkuarës duke u zhytur kështu në një gjendje poshtëruese dhe të pakonceptueshme e të pashpresë fare, duke ditur se të krijosh shtetin nuk do të thotë të mbetesh gjithmonë peng i hipnozave politike apo gjithfarë shpikjeve të dështuara që nuk kanë asgjë të përbashkët me ardhmërin e demokracisë, të kombeve moderne dhe integrimin e këtij rajoni në bashkimin europian. Gjithashtu shohim se si shtetit të Kosovës për çdo ditë po i dalin probleme rrugës dhe ajo ende po qëndron në pozicionin e heshtur, sepse siç shihet institucionet e shtetit të mbykqyrur të Kosovës këto probleme dëshirojnë ti zgjidhin ngadalë dhe se ligji apo kushtetutshmëria sipas kësaj gjendje nuk do mund të shtrihej në tërë territorinë e Kosovës edhe për disa vite ndoshta edhe shekuj, por kjo më shumë i ngjan një humori tragjik dhe një joseriozitet të instituioneve të Kosovës që nuk po e shohin se Kosova është bërë një vend ku më shumë pjell probleme se sa stabilitet dhe paqe të dukshme. Pastaj shohim probleme tjera të intitucioneve të shtetit të mbykqyrur të Kosovës ku ende nuk iu ka hequr lakmia e parasë apo më mirë korrupcioni si një damkë e zezë dhe e tmerrshme e ardhmërisë së demorkacisë dhe shtetit ligjor, por ato kanë mbetur pjesë e jetës së institucioneve dhe pushtetarëve të saj.Por duke ditur se shteti i mbykqyrur i Kosovës ende nuk ka taban kombëtar aty mund të ndodhin edhe këto gjëra sepse edhe në gjungël ndodhin këso grabitjesh, këso zhurmash të mëdha aq sa e bëjnë që dekor i saj ti bie kur të shihet se parimet janë flliqur dhe janë bërë natyrë e shëmtuar e institucioneve të Kosovës. Institucionet e shtetit të mbykqyrur të Kosovës janë zhytur në një utopi të thellë, në një robëri të qejfeve dhe të vullneteve individuale duke politizuar gjithçka dhe duke bërë kështu braktisjen e parimeve të shëndosha të demokracisë, lirisë e barazisë dhe shtetit të së drejtës. Këto institucione me dekorin e tyre të jashtëm po fshehin në brendësi një pamje të keqe të partisë politike dhe kështu duke bërë që Kosova të jetë një shtet jo i të gjithëve, por shtet i partisë, e cila e merr pushtetin, apo më mirë të thuhet shteti është populli i Kosovës apo shteti është partia politike që ka institucionet në dorë?!. Të gjithë duhet të dinë se sovran është secili prej nesh dhe duke ditur se askush prej nesh nuk është i padrejtë ndaj vetes së tij dhe se vullneti i këtij sovrani të quajtur popull duhet të jetë gjithmonë në shërbim të së mirës, mirëpo ai tani nuk po arrin ta shohë këtë të mirë sepse gjykimi udhëheqës e i verëbr i institucioneve të shtetit të mbykqyrur të Kosovës është i gabuar dhe i pandriçuar për një të ardhme të sigurtë brenda vendit të tyre. Po shohim se si institucionet parazitare dhe të hutuara të shtetit të mbykqyrur të Kosovës po pështjellin si një rrjetë në trupin partiak qytetarët e saj dhe po i bëjnë me pallto të reja duke i veshur këmishën e një partie politike, kjo në fund të fundit do të thotë mbyllje e të gjitha poreve të ardhmërisë së shtetit të mbykqyrur të Kosovës dhe proceseve të plotësimit të standardeve demokratike dhe rrugëtimit të saj në familjen europiane. Ndërkaq, sot në shtetin e Kosovës më shumë mund të shohësh se si instutucionet e shtetit të mbykqyrur të Kosovës bëjnë pushtetarët të pasur dhe vrafërojnë qytetarët se sa që mund të shohësh ndonjë lëvizje të proceseve demokratike dhe zhvillimeve pozitive ekonomike në shërbim të qytetarëve të saj. Thjeshtë në Kosovë pushtetarët më shumë i ngajnë një financieri apo biznesmeni se sa një udhëheqës i dinjitetshëm i moralëshëm dhe sfidues i problemve apo edhe ofrues i një pike lumturie sociale e ekonomike të qytetarëve të cilët vuajnë nga gjendja e mjegulltë dhe nga pasiguria e procesit të Kosovës në vijim.Bota politike në Kosovë më shumë po i ngjanë një bote që merret me yçkla, me shitje favoresh, me blerje postesh, me ndihma të rastësishme përmes marifetesh të shumta, spekulime të papara me masën, me fletushka partiake etj etj etj. Prandaj një moral politik dhe një qeverisje e ndërgjegjshme nuk krijohet apo nuk menaxhohet duke bërë predikime të dhembshura, as duke manipuluar masën, as me xheste të bukura e të rrejshme, as me fletushka partiake, as me harbutllëk, as me padije, as me hedhje shumash në treg që nuk realizohen, por që mund të zhduken shumë shpejt sikur avulli. Gabimi më i madh që mund ti ndodhë një shteti, është nëse ai e personalizon institucionin dhe e vë atë në shërbim të ideologjisë partiake dhe formave tjera të saj.Gjithashtu është një gjë e çuditshme se kur një parti është në institucione udhëheqëse shtetërore ajo fiton automatikisht të drejtën për gjithçka dhe vepron sipas formave të saj dhe gjykmit të saj, por kjo është një gabim trashanik sepse liria dhe vullneti i përgjithshëm e humbë karakterin e tij veprues dhe kështu shteti shndërrohet në mungesë të gjithçkaje dhe në humbje të rrënjëve të dyfyshta të demokracisë dhe progresit shtetëror. Prandaj nuk duhet që institucionet udhëheqëse të shtetit të mbykqyrur të Kosovës ta konsiderojnë shtetin e tyre si një kartë të bardhë mbi të cilën ata mund të zhgarravisin si tu dojë qejfi. Kjo ndoshta është pak tërbuese për aktualitetin politik kosovar dhe se pushtetarët ndoshta mund të kërcejnë nga tërbimi, por duke shikuar dhe analizuar brendësinë dhe anomalitë e procesit, të jozhvillimit dhe jondërtimit të shtetit të mbykqyrur të Kosovës do të mund të pranojnë arsyeshëm se qasja e tanishme duhet të shndërrohet në mënyrë rrënjësore dhe se institucionet e Kosovës duhet të mësojnë mirë demokracinë, shtetndërtimin dhe të fillojnë një orinetim të ri të menaxhimit me fatin e saj. Kohëve të fundit po shohim se si institucionet e shtetit të mbykqyrur të Kosovës lirinë politike, e qytetare pastaj sovranitetin e popullit dhe ligjin e kushtetutën janë duke i konsideruar vetëm si ballina e jo si një proces jetik të brendshëm të ecjes dhe mbajtjes në vijë të shtetit juridik dhe të procesve të tjera demokratike e integruese. Mund të shohim gjithashtu se si gjatë krizave të ndryshme brenda Kosovës institucionet e Kosovës, duke mos gjetur asnjë rrugë tjetër apo më mirë duke i ikur zbatimit të ligjit dhe rendit si dhe kushtetutshmërisë ato përdorin llaçe ku më shumë shkaktojnë ngecje se sa forcojnë vullnetin e brendshëm politik për të vepruar ndaj krizave të llojllojshme që e cënojnë atë dhe e ndalojnë në rrugëtimin e saj drejt zhvillimeve pozitive. Dhe krejt në fund institucionet e Kosovës duhet së pari të mësojnë ndërtimin e shtetit të tyre, ti rrënjosin thellë rrënjët e demokracisë, të shtetit juridik, ti hapin mundësit e zhvillimit ekonimik ashtu që qytetarët të jenë më të lumtur, ti heqin pengesat e brendëshme, tia kthejnë dinjitetin vendit dhe qytetarit, pushtetarët ti braktisin një herë e përgjithmonë rrugët e pasurisë së xhepave të vetë, ti thonë lamtumirë pasigurisë, të fillojnë të zbatojnë kushtetutën. Dhe më pas të fillojnë të ndërtojnë urën e integrimeve në familjen europiane, por jo duke jetuar me dy faqe në fjalë, herë nga lindja e herë nga perëndimi, sepse atëherë kjo rrugë e nisur do dilte e paçimentuar mirë dhe me plotë rreziqe e dyshime për të ardhmen e Kosovës.

*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënive ndërkombëtare

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›