Rreziku, ura e Matit do të testohet
BURREL - Disa ditë pas ngritjes së shqetësimit nga miniera e kromit Bulqizë, për bllokimin e mjeteve të tonazhit të lartë ka ardhur reagimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe asaj Rajonale Dibër. Specialistë të DPRR dhe Drejtori Rajonal, Durim Balla inspektuan dje në mesditë gjendjen e urës së Matit, ku policia rrugore ka ngritur postblloqe dhe ka bllokuar mjetet të lëvizin mbi urë me peshë mbi 24 ton. Specialistët dalluan se gjatë lëvizjes së mjeteve me ngarkesë mbi normën e lejuar ura kishte lëkundje. Ata panë nga afër amortizimin e trasesë së rrugës, të trarëve, bazamenteve etj. Sipas Ballës, Prefekti i Dibrës ka kërkuar herë pas here zgjidhje për këtë shqetësim, kryesisht të firmave minerare, por ende specialistët e DPRR-së nuk e kanë thënë fjalën e tyre. Ne pamë nga afër gjendjen e kësaj ure. Policia ka vepruar shumë drejt për bllokimin e mjeteve të tonazhit të lartë, pasi ura është e certifikuar të transportojë vetëm 24 ton. Deri në dhënien e një zgjidhje të re mjetet me peshë të lartë nuk do të lëvizin mbi urën e Matit”, pohoi ai. h.p