E Diel, 1 Nëntor 2026

Fier, lumi Vjosë "zhduk" dhjetëra hektarë tokë bujqësore

Në fshatrat e komunës së Cakranit mbi 20 hektarë tokë janë zhdukur për shkak të lumit që i përshkon

FIER - Lumi Vjosë i cili kalon në afërsi të dhjetëra fshatrave të komunave të rrethit të Fierit është bërë një problem jetik për qindra familje. Kjo jo vetëm gjatë daljes nga shtrati i këtij lumi që përmbyt shtëpi banimi dhe toka bujqësore, por edhe për faktin se çdo ditë po u merr tokë fshatrave të komunës Cakran të Fierit.

Janë 20 familje në fshatin Varibop të komunës Cakran dhe po aq në fshatin Hambaraj të po kësaj komune që lumi u ka marrë mbi 10 hektarë tokë bujqësore, që fshatarët i kishin përfituar në bazë të ligjit 7501. Kjo tokë nuk ekziston më, pasi e gjitha është bërë "pronë" e lumit vjosë.

Sipas kryetarit të komunës Cakran, Vladimir Korçari, lumi Vjosë nga fshati Hambar deri në fshatin Vjosë ka gërryer shumë hektarë tokë bujqësore, por më problematike janë në fshatrat Hambar dhe Varibop ku janë zhdukur disa dhjetëra hektarë tokë.

Kjo situatë sipas tij po vazhdon çdo ditë duke lënë fermeret pa tokë kaq e domosdoshme për të mbajtur familjet e tyre. Kjo gërryerje po përparon dhe nuk dihet ku do të përfundojë në rast se nuk ndërhyhet nga shteti.

"Për këtë shqetësim të madh të fermerëve, - shprehet kryekomunari, - i kemi bërë letër ministrit të Bujqësisë, Drejtorisë së Ujërave dhe Bordit të Kullimit. Ato që mund të shpëtojnë këto gërryerje me përmasa të mëdha janë vendosja e paneleve anës shtratit të lumit".

Pranë lumit Vjosë banorë të fshatit Varibop, ku kanë tokat e tyre rreth 500 familje, kishin dalë dje në bregun e këtij lumi pasi një pjesë e mirë e tokave të fermerëve kishte rënë gjatë natës. Shpëtim Saliaj, kryeplaku i këtij fshati, shprehet se rreth 100 hektarë tokë janë të rrezikuara nga gërryerjet, ndërsa mbi 20 hektarë tokë bujqësore të mbjella i ka gërryer toka. Ai tregon rrugën ku banorët kishin qëndruar dhe që dikur shërbente për fermerët për të shkuar në parcelat e tyre. Sot ajo është e gjitha në lumë.

Ai ngre edhe një shqetësim tjetër. Sipas tij këto gërryerje ku lumi i ka më të lehtë për t'i marrë kanë ardhur edhe nga shfrytëzimi pa kriter i inerteve që u përdorën për rrugën Levan -Tepelenë.

Traseja e kësaj të fundit nga lumi Vjosa ndodhej rreth 300 metra, e cila ishte shtruar me zhavorr të marrë nga lumi ku ndodheshin tokat e fermerëve të marrë sipas ligjit 7501 që aktualisht nuk e kanë më, pasi lumi i ka marrë me vete. Në këto kushte shprehet kryeplaku Shpëtim Saliaj, komuna duhet t'i ndihmojë me toka të tjera në rast se ka në dizpozicion këta fermerë.

Gjithashtu ai thotë se lumit duhet t'i vendosen panele për të mos kaluar gërryerja në toka të tjera. "Ardhja e lumit Vjosë edhe njëherë do të thotë që dhjetëra hektarë tokë bujqësore do të zhduken nën ujin e rrëmbyeshëm të këtij lumi", përfundon kryeplaku i fshatit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›