Masakroi me thikë taksistin lushnjar, 24 vjet burg

FIER/ Jepet vendimi për 25-vjeçarin Neim Behari, i cili vrau në vitin 2005 Themi Qosen me 17 goditje thike
FIER - Gjykata e Fierit ka vendosur dënimin me 24 vjet burg të një të riu që akuzohej për "vjedhje me pasojë vdekjen". Neim Behari, 25 vjeç, lindur dhe banues në Lapardha të Beratit u deklarua fajtor për vrasjen e shtetasit Themi Qose, nga qyteti i Lushnjës, vrasje e ndodhur në 20 mars të vitit 2005.
Pavarësisht problemeve mendore të shfaqura herë pas here nga Behari, trupi gjykues ka vendosur dënimin e tij me 24 vjet heqje lirie.
Ngjarja
Më 20 mars 2005 në fshatin Marinëz të Fierit është gjetur i vdekur shtetasi Themi Qose, banor i qytetit të Lushnjës, i cili në këtë periudhë punonte si taksixhi me mjetin e tij tip "Mercedes Benz" me targa LU 5410 B.
Po këtë ditë, Neim Behari ka shkuar në Lushnjë dhe në afërsi të stacionit të trenit ka marrë për shërbim taksi Qosen. Behari i ka kërkuar taksixhiut që ta çojë në fshatin Marinëz. Të dy nuk kanë bërë pazar për shumën që duhej paguar për të shkuar atje, por kanë vazhduar rrugën normalisht deri pranë destinacionit.
Ndërkohë që kishin dalë nga rruga nacionale dhe ishin futur në rrugën e fshatit Behari i ka kërkuar Qoses t'i jepte 100 000 lekë. Por taksixhiu i është shprehur se ai duhet t'i jepte 5 000 lekë për shërbimin e kryer.
Në këtë moment 20-vjeçari ka ngritur zërin duke filluar debatin dhe makina ka ndaluar, ndërsa të dy kanë dalë jashtë saj. Behari ka nxjerrë thikën që kishte me vete dhe ka qëlluar në fyt Qosen, i cili ka rënë në tokë. Më pas ka vijuar ta godasë me egërsi (deri në 17 herë).
Pas kësaj 20-vjeçari e ka marrë viktimën dhe e ka futur në portobagazhin e makinës dhe e ka transportuar në një kabinë elektrike aty pranë. Më pas, me makinën e vjedhur është larguar për në fshatin Lapardha ku dhe banonte.
Ai ka ndaluar anës lumit që kalon pranë fshatit dhe fillimisht ka pastruar makinën nga brenda pasi ishte me gjakun e viktimës. Ndërkohë ka hequr edhe targat e i ka hedhur në lumë. Para se të nisej në shtëpi i pandehuri ka marrë edhe celularin që viktima kishte me vete, duke e lënë makinën aty.
Procesi
Neim Behari ka shfaqur probleme pas arrestimit dhe procesi për të nuk vijoi. Një vit më pas, në 28 shtator 2006 gjykimi u ndërpre, pasi i riu paraqiti një gjendje mendore të rëndë çka pengonte pjesëmarrjen e vetëdijshme të tij në gjyq dhe u trajtua në një spital psikiatrik.
Pas verifikimit disa herë të gjendjes mendore të të pandehurit nga ana e ekspertëve ligjorë është vendosur pjesëmarrja e tij në gjyq në shtator 2009. Procesi rinisi atje ku kishte mbetur.
Avokati i tij mbrojtës kërkoi ndryshimin e akuzës në "vrasje me dashje" (për të cilën parashikohet një dënim nga 10-20 vjet heqje lirie). Në përfundim të gjykimit, togat e zeza vendosën deklarimin fajtor të Beharit dhe dënimin e tij me 24 vjet burg, dënim i cili nis që në vitin 2005, kur ai u vu në pranga.