E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defekt në fluturim, avioni kthehet në aeroport

Afërsisht 100 pasagjerë që udhëtonin me "Albanian Airlines", u detyruan të rikthehen në Rinas pas një problemi të konstatuar në ajër nga pilotët

Kompania anulloi edhe një udhëtim tjetër në drejtim të Bolonjës ndërsa pasagjerëve iu komunikua udhëtimi për sot

TIRANE- Tjetër incident me avionët e linjave të "Albanian Airlines", për shkak se një avion i kësaj kompanie ndërpreu fluturimin pas rreth 70 minutash, duke u rikthyer sërish në aeroportin e Rinasit, nga ku ishte nisur drejt Torinos, me 100 udhëtarë në bord. Kompania shtyn udhëtimin për shkak të problemeve edhe të avionit të linjës që ishte parashikuar të udhëtonte drejt Bolonjës.

Shkak për uljen e detyruar të avionit, u bë një defekt në sistemin antiftohës të avionit, i cili është detyruar të kthehet për t'u ulur sërish në pistën e aeroportit ndërkombëtar "Nënë Tereza", pasi ka konsumuar të gjithë karburantin që kishte me vete.

Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Aeroportit të Rinasit si dhe të komisariatit të Policisë së aeroportit, që pohuan se avioni ishte konstatuar të kishte pasur probleme gjatë fluturimit.

Ulja është bërë pas 70 minutash, pasi avioni ka konsumuar të gjithë karburantin që të mund të ulej. Pilotët konstatuan defektin afërsisht gjysmë ore pasi kishin bërë shkëputjen nga pista e aeroportit të Rinasit dhe ishin në fluturim.

Pas konstatimit të defektit pilotët njoftuan pasagjerët se duhej të ktheheshin në Rinas për shkak të problemeve teknike që kishin. Ndërkaq, pas njoftimit, avioni është detyruar të qëndrojë për së paku 40 minuta në fluturim për të djegur karburantin për shkak se bashkë me të avioni nuk mund të ulej duke qenë se ka rrezik.

Orari i parashikuar për nisjen e avionit kishte qenë për t'u nisur në orën 13:30, nga Tirana me destinacion Torinon. Por për shkaqe teknike udhëtimi është shtyrë rreth dy orë dhe duke bërë që pasagjerët të qëndronin në tranzitin e aeroportit për një kohë të konsiderueshme.

Ndërkaq, pas problemit të konstatuar në ajër, avioni është ulur normalisht në pistën e aeroporit ndërkombëtar "Nënë Tereza" të Rinasit, pa asnjë problem. Mësohet se menjëherë inxhinierët e kompanisë ajrore kanë nisur punën për riparimin e problemit të avionit.

Pasagjerët e linjës janë lajmëruar nga kompania se do të udhëtonin gjatë ditës së sotme, duke zëvendësuar udhëtimin e humbur dje. Ndërkaq për shkaqe që thuhet se kanë qenë teknike është anulluar nga kompania në mënyrë të përkohshme edhe një udhëtim tjetër i parashikuar me destinacion Bolonjën.
Drejt këtij destinacioni të dielën e javës së kaluar ishte nisur një avion "Boeing" 737- 300 i kësaj kompanie me 110 pasagjerë.

Piloti i mjetit fluturues e devijoi udhëtimin nga Bolonja duke dërguar pasagjerët në Bratislavë të Sllovakisë. Kjo për shkak të mos shlyerjes së pagës pilotëve nga kompania ajrore sllovake "Air Slovakia", ku ishte marrë me qera avioni nga "Albanian Airlines". Ko çështje është nën hetim nga autoritetet dhe ende nuk ka një qëndrim përfundimtar për shkaqet nga palët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›