Pasaportat biometrike, emigrantët në protestë

Shumë prej personave kanë aplikuar që një muaj më parë, por ende nuk kanë arritur që ta marrin pasaportën
VLORË - Rreth 40 emigrantë kanë protestuar dje në ambientet e drejtorisë së policisë së qarkut të Vlorës për mosmarrjen e pasaportave. Teksa ditë pas dite kanë marrë përgjigje zvarritëse nga ana e sporteleve të pasaportave, tejkalimi i afateve ka sjellë probleme serioze tek ta.
Të alarmuar nga djegia e dokumenteve në shtetin fqinj, dhe duke mos ditur kujt t'i drejtohen, emigrantët i janë drejtuar protestës, fillimisht në drejtorinë e policisë e më pas në prefekturën e qarkut.
"Kam qysh në datën 15 dhjetor që kam aplikuar për pasaportë dhe kur afati i shpallur është vetëm 15 ditë, unë nuk kam arritur ta kem akoma pasaportën.
Jam emigrant në Itali dhe kam tentuar të iki me pasaportën e vjetër, sepse duhet të jem në vendin tim të punës, por më thonë se emri yt tashmë është në sistem me numër tjetër pasaporte, pra atë të re, të cilën unë nuk e kam marrë ende. Këtu vij përditë dhe më thonë së fundmi se ka mungesë shërbimi nga zyrat e Tiranës. Nuk di ku të shkoj e ku të mbytem. Punën po e humbas, por edhe rinovimin e dokumenteve në shtetin fqinj", shprehet një 25-vjeçar, emigrant në Itali.
"Unë vij nga Llakatundi. Bëj çdo ditë rrugën vajtje-ardhje në Vlorë, duke marrë të njëjtën përgjigje, pasi pasaportën për të ikur në Greqi nuk po e marr dot akoma. Jemi të huaj edhe në vendin tonë, pasi ashtu na trajtojnë. Është jo vetëm absurde, por çmenduri, të mendosh se po na djegin dokumentet, vetëm me burokracirat e këtushme.
Na kanë dhënë një numër telefoni për të komunikuar me zyrat e Tiranës, por është më tepër se tallëse, pasi nuk të përgjigjet njeri. Fëmijëve do t'iu digjet shkolla, pasi ata ndërkohë po marrin mungesa dhe ne nuk dimë si të veprojmë më",- shton një tjetër emigrant.
Elbasan
Me dhjetëra emigrantë vazhdojnë të qëndrojnë me orë të tëra në pritje të pasaportave biometrike. Ka nga ata që kanë rreth një muaj që kanë aplikuar, ka edhe 20 ditë, por afati në asnjë rast nuk është respektuar.
Të acaruar pasi kanë humbur biletat, paratë, shkollën dhe gjithçka kishin planifikuar për vete dhe familjet e tyre ne ditët e para të janarit, Jovan Kote, emigrant në Greqi, thotë se gjithçka ndodh është një keqmenaxhim, pasi firma nuk duhet të pranonte aq shumë aplikime saqë të mos përballonte prodhimin, por aq sa mund të prodhonte realisht. Ai thotë se problemi që u ka lindur me pasaportën e vjetër ka lidhje me doganën.
Sipas tij, në momentin që kanë hyrë në prodhim pasaportat biometrike janë nxjerrë jashtë përdorimit pasaportat e vjetra dhe ata nuk mund të kalojnë në shtetet fqinje për këtë shkak.
Në pritje të një liste dhe të pasaportave, emigrantët vazhdojnë të qëndrojnë në radhë deri pasdite vonë. Ndërkohë prefekti ka deklaruar se ka kontaktuar me përfaqësues të firmës prodhuese dhe se po punohet me maksimumin e kapacitetit për të prodhuar pasaportat e reja edhe pse fluksi ka qenë shumë i madh.
Reagimi: "Aleat" nuk mund të prodhojë më shumë
Të pyetur nga gazeta "Shekulli", zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, shprehet se firma "Aleat" e cila merret me prodhimin e pasaportave ka një kapacitet prodhues prej 3000 pasaportash në ditë. "Fluksi i këtyre ditëve ka qenë shumë i madh dhe firma po punon mbi kapacitetin e saj, duke prodhuar edhe 5000 pasaporta në ditë", shprehet Fatmir Konja.
Sipas tij, ndërkohë emigrantët mund ta lënë vendin dhe të kthehen kur pasaporta të prodhohet dhe të mos rrezikojnë deri në humbjen e punës së tyre. Zëdhënësi shprehet se pasaporta e vjetër del automatikisht jashtë funksionit në momentin që prodhohet pasaporta e re.
Ndërkohë, burime nga porti i Vlorës shprehen se ata i bëjnë verifikimet e pasaportës bazuar në sistemin TIMS. Emigrantët mund të përdorin pasaportat e vjetra në rast se nuk u ka dalë e reja.
Kthimi në Shqipëri për ta do të jetë i paproblem. Madje, sipas burimeve, në rastet kur në pasaportën e vjetër kanë vizë, emigrantëve do t'u lihen të dyja pasaportat, ndërsa në rastet kur viza u ka mbaruar, pasaporta e vjetër del jashtë funksionimit.