E Diel, 1 Nëntor 2026

Agim Shehu: Policët i nisa në Sarandë, iu bënë pritë në "Qafë Gjashtë"

QAFË GJASHTA

Në dëshminë e tij ish- kryepolici i vendit në vitin 1997 tha se kishte kërkuar nga Sokol Bizhga ringritjen e komisariatit në Sarandë

TIRANË- Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit njëkohësisht edhe ish-zv/Ministër i Brendshëm në vitin 1997, Agim Shehu, ka dëshmuar dje para togave të zeza në lidhje me "masakrën" e"Qafë Gjashtë" në Sarandë ku mbeti i vrarë dhe djegur efektivi i policisë Gjergji Mehmeti, u mor peng Eduart Aliaj dhe u plagos Sokol Bizhga.

Me kërkesë të organit të akuzës, gjeneral Shehu u paraqit në seancen e 40 gjyqësore, për të dhënë shpjegime për momentet para gjatë dhe pas ngjarjes së masakrës së "Qafë Gjashtës" në mars të 1997.

Sipas dëshmisë së Shehut, ka qenë kërkesa e ish-shefit të krimeve në qytetin e Vlorës së asaj kohe, shtetasit Sokol Bizhga që ky i fundit të largohet nga qytetit bregdetar drejt Sarandës për shkak se aty i rrezikohet jeta, që e ka shtyrë ish-zv\ministrin t'i japë leje për të shkuar.

Përveç lejes për tu larguar nga Vlora, dëshmitari Shehu, konfirmoi se ka kërkuar nga Bizhga dhe personat që e shoqëronin të shikojnë mundësinë e ringritjes së Komisariatit të Policisë pasi ishte djegur një ditë më parë.

"Ka qenë mëngjesi i datës 4 mars 1997 ku kam komunikuar me telefon me ish-shefin e Krimeve të qytetit të Vlorës, Sokol Bizhga, i cili më kërkoi të largohet nga Vlora për shkak të rrezikut që i kanosej aty, duke kërkuar të shkonte në Sarandë për tu strehuar. Unë pranova kërkesën e tij, duke i thënë të shikojë mundësinë për të riorganizuar punën e Komisariatit të Policisë në Sarandë pasi një ditë më parë ishte sulmuar.

Kur arritën në Sarandë, Bizhga më telefonoi me një numër grek dhe më tregoi gjendjen në Komisariat dhe në bazën detare të Sarandës. Në përfundim Bizhga më tha se ishte e pamundur të organizohej komisariati për shkak të zhvillimeve që kishin ndodhur atje dhe unë e lashë të zgjidhte nëse do të qëndronte në Sarandë në baza të sigurta apo do të kthehej në Vlorë.

Madje i rekomandova edhe vendet se ku mund të qëndronte në Sarandë dhe të ishte i sigurt",-tha gjeneral Shehu, duke shtuar se pas këtij komunikimi nuk kishte arritur të fliste më me grupin që kishte shkuar në Sarandë, Sokol Bizhgën, Eduart Aliajn dhe Gjergji Mehmeti. "Po atë ditë, dikur në orët e pasdites kam marr vesh se në Qafë Gjashtë është vrarë një punonjës shtetëror, që flitej të ishte ose polic ose punonjës SHIK-u, por nuk e dinim se kush ishte.

Në atë kohë tentuam të dërgonim njerëz në Sarandë po ishte e pamundur pasi ishte zënë rruga dhe në darkë kam marrë vesh nga shefi i Komisariatit të Gjirokastrës se Bizhga me kolegët Aliajn dhe Mehmetin kishin rënë në pritë, ku ishte vrarë ky i fundit dhe djegur",-tha para togave të zeza Shehu.

Në vazhdim të dëshmisë ish-zv\ministri tregoi takimin me Bizhgën pas ardhjes së këtij të fundit në Tiranë, ku i kishte raportuar me hollësi për ngjarjen e ndodhur më 4 mars 1997 në Qafë Gjashtë. "Efektivët e Policisë kishin menduar të ktheheshin për në Gjirokastër ku afër një antene elektrike ishin përballur me një grup personash të armatosur që kishin hapur zjarr ndaj tyre edhe pse i kishin treguar që ishin punonjës të policisë së Vlorës.

Aty ishte plagosur Bizhga dhe kishte mundur të ikte, kolegun e tij Eduart Aliajn e kishin marrë peng dhe e dhunonin për çdo ditë ndërsa Gjergj Mehmetin që ishte plagosur e kishin vrarë nga afër dhe më pas djegur"-tha Shehu duke iu referuar fjalëve të ish-shefit të krimeve të qytetit të Vlorës, Sokol Bizhga.

Gjithashtu, Shehu shtoi se që nga ajo kohë ishte urdhëruar një hetim i hollësishëm i ngjarjes por çështja ishte pezulluar deri kur është hapur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe që ka filluar ky proces gjyqësor.

Pas dëshmisë së Shehut gjykata u detyrua të ndërpresë seancën gjyqësore për mos paraqitjen e dëshmitarëve të tjerë të akuzës. Sipas prokurorisë për këtë ngjarje akuzohen të pandehurit: Vladimir Sinani, Nestor Sinani, Eduart Çipa, Alqi Paguni, Edmond Sejko, Mikel (Flamur, Këndezi, Arben Këndezi), Agron Qurku, Aleksandër Bala dhe Ristan Lapa.

PROKURORIA:
Përfaqësues të organit të akuzës thanë dje se nuk kanë hetim për denoncimin e publikuar në media

Kërcënimet ndaj familjarëve të Colit, jo serioze

TIRANË- 24 orë pas denoncimit në media të njërit prej familjarëve të afërt të Adriatik Colit për kërcënime me jetën dhe neglizhencës së efektivëve të policisë në ruajtjen dhe sigurinë e tyre zyrtarë të organit të akuzës mohojnë se ka një hetim për këtë çështje.

"Kemi dëgjuar pretendimin e të afërmeve të Adriatik Colit, të cilët pretendojnë se janë kërcënuar me jetë gjatë kohës që ata ndodhen nën programin e ruajtjes nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarë e të Drejtësisë dhe kemi konstatuar se asgjë nuk është serioze. Thjesht është një pretendim që ngrihet nga familjarët e Colit me qëllim përfitimin e pretendimeve të tyre të paligjshme.

Për këto pretendime nuk ka një hetim që zhvillohet nga Prokuroria për shkak se është vlerësuar i panevojshëm",-thonë burime pranë Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë. Gjithashtu, këto burime sqaruan se të afërmit e Colit që pretendojnë për mos kujdesje janë pritur edhe në një takim me zv\prokurorin e Krimeve të Rënda, Kostaq Beluri, i cili iu ka premtuar se gjithçka do të shikohet me përparësi.

Por, vetë i afërmi i familjarëve të të penduarit shprehet se "edhe pse kam takuar prokurorët e çështjes dhe më kanë premtuar se do të marrin masa, asgjë nuk është bërë.

Edhe pas denoncimit tim në media, të vetmen gjë që më kanë thënë është se "i ke prishur punë vetes me këto deklarime",-thotë i afërmi i Colit që kërkon të mos identifikohet për shkak të rrezikut që i kanoset, duke shtuar se është kërcënuar për këto deklarata.

Ndërkohë, zyrtarët e Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë konfirmuan se "familjarëve të Colit nuk iu kanoset asnjë rrezik. Ata janë mirë dhe ndodhen në ambiente të sigurta, ku vazhdojnë të jenë në programin për mbrojtjen dhe sigurinë fizike të tyre.

Ndërkohë, një ditë më parë, njëri nga pjesëtarët e ngushtë të familjes së Colit, denoncoi në media për neglizhencën që tregojnë karshi atyre efektivë të ndryshëm të Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë, të cilët qëndrojnë vetëm pak minuta në turin e natës dhe largohen duke i lënë në mëshirë të fatit.

"Na kanë strehuar në një banesë ku na shoqërojnë kur dalim jashtë, por në disa raste agjentët e shërbimit të turnit të natës vijnë rrinë vetëm pak minuta dhe më pas largohen duke na lënë në mëshirë të fatit. Tri ditë më parë, jemi kërcënuar me jetët tona.

Pas kërcënimit jemi detyruar të heqim fëmijët nga Shkolla prej frikës së vrasjeve. Jemi 17 pjesëtarë të familjes së Adriatik Colit që herë pas here mbesim pa siguri nga agjentët e papërgjegjshëm. Na është premtuar se do na nxirrnin jashtë shtetit, por, tani na thonë se nuk jeni të rrezikuar ju por vetëm bashkëshortja e Colit dhe fëmijët e tij"-tha një nga të afërmit e Colit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›