E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, mbetjet spitalore kërcënojnë shtetasit

Sipas ligjit, spitalet duhet të kenë një krematorium ku të digjen mbetjet e ndryshme të cilat përbëjnë rrezik


Megjithëse hedhja e shiringave së bashku me mbeturinat e tjera është e ndaluar, një gjë e tillë vazhdon


FIER - Mbetjet spitalore të qytetit rajonal të Fierit, duke përfshirë këtu edhe shiringat, shishet plastike të serumeve dhe gjithçka që përdoret në operacione fatkeqësisht përfundojnë bashkë me plehrat e tjera dhe jo në krematorium, siç përcaktohet nga ligji.


Në fakt, prej dy vjetësh ky krematorium (pavarësisht deklaratave zyrtare), nuk është në funksion dhe të gjitha mbetjet përfundojnë prapa spitalit apo në vende grumbullimi, ku shumë lehtë mund të preken nga kushdo që hyn brenda këtij institucioni.


Ligji i vendosur edhe për të shmangur përdorimin e shiringave nga përdorues të ndryshëm të drogave apo edhe fëmijë të vegjël, kuriozë për çdo të panjohur, përcakton eliminimin e tyre nga spitali, por një gjë e tillë nuk ndodh në qytetin e Fierit.


Në foto të bëra pranë ambienteve të spitalit rajonal duket që plehrat nuk kanë një ndarje të veçantë, por të gjitha janë mbledhur në të njëjtin vend. Të gjitha mbetjet e këtij spitali pas këtij institucioni.


Së bashku me këto mbeturina që mund të jenë edhe plehra të zakonshme, hidhen edhe ato të rrezikshme, siç janë mbetjet e operacioneve. Jo vetëm kaq. Në këtë vend ku grumbullohen të gjitha mbetjet, hidhen edhe shiringa apo edhe shishe plastike serumi.


Hedhja bëhet si pa të keq dhe jashtë çdo kushti higjieno-sanitar. Dhe nga kjo pakujdesi njerëzore përfitojnë qentë, mizat ose minjtë që janë mbartës kryesorë të shumë sëmundjeve e për shkak të plehrave që rrethojnë këtë spital, edhe infeksionet përhapen me shpejtësi jo vetëm në ambientet e spitalit, por edhe në zonat përreth këtij institucioni, siç është lagjja "1 Maji". Ligji përcakton që mbetje të tilla duhet të eliminohen në mënyrë që të shmangen përhapjet e infeksioneve e sëmundjeve të ndryshme.


Lidhur me këtë situate, drejtoresha J.Jahiqi shprehet se ka një krematorium në këtë spital, ku një punonjës i saj i djeg këto mbetje spitalore të rrezikshme. Në fakt, në spitalin pediatrik ngjitur me këtë institucion në katin e parë të saj, ndodhet një krematorium. Themi ndodhet sepse ka më shumë se dy vjet që ky krematorium nuk funksionon.


Heqja e tij nga funksioni ka qenë për shkak të ankesave të banorëve të lagjes "1 Maji". Ata vetë janë shprehur se çdo mëngjes ky krematorium që digjte mbetjet lëshonte një tym të zi me një erë shumë të keqe që shumë shpejt hynte në banesat e tyre.


Të zemëruar ata kanë kërkuar që djegiet të bëhen brenda kushteve teknike, pasi tymrat ishin problematikë si për ta, ashtu edhe për fëmijët e shtruar në spitalin pediatrik ku ndodhej krematoriumi. Sot ai është ndalur dhe përreth tij, te vendi ku mblidheshin të gjithë mbetjet e rrezikshme të këtij spitali, ndodhen ende mbetje. Megjithëse të rrezikshme, ato qëndrojnë kërcënueshëm të mbuluara nga një bimësi e egër.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›