E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lider apo kryetar?

Në sulmet në drejtim të kryetarit aktual të PS, shpesh përmendeshin fjalë të tilla, si 'standard' apo 'precedent', të ardhura edhe nga njerëz të cilët kishin qenë ose arkitektë të sistemit zgjedhor, ose të afërt me kryetarin deri para zgjedhjeve.


Natyrisht që kryetari i partisë ka peshën e vet të përgjegjësive në llogarinë e të gjithë faktorëve, në evaluimin objektiv të tyre dhe në marrjen e atyre masave të cilat garantojnë objektivin për të cilin hyhet në garë: fitoren.


Por është po aq e rëndësishme të nënvizohet edhe fakti që gjenerali nuk braktiset asnjëherë në mes të betejës. Pa mbaruar mirë procesi zgjedhor dhe ku PS-ja ende i kishte mundësitë, të paktën teorikisht, të kërkonte me forcë unitet të brendshëm dhe energji rinumërimin në ato zona ku vendosej fati i lojës dhe të fliste me zë solidar përpara faktorit vendas dhe ndërkombëtar, disa nxituan të kryqëzonin kryetarin e partisë, duke individualizuar fajin dhe përgjegjësinë. Me fjalë të tjera, opozitarët e "brendshëm" dolën edhe më të shpejtë nga ata "të jashtmit" në kumtimin e humbjes.


Por, nëse pjesa e parë, pra dorëheqja apo ndërprerja e kryetarllëkut, justifikohej me statusin, nuk u kuptua as në fillim dhe vazhdon të mbetet e paqartë se pse kërkohet moskandidimi. Demokracia asnjëherë nuk e përjashton garën dhe gara është në funksion të alternativave më të mira që mund të ketë një parti, në një test të përgjithshëm dhe ballafaques me anëtarësinë.


Situata në ditët para Kongresit të PS-së u bë vërtet paradoksale, edhe prej pompimit të ndonjë kanddidati prej një pjese të medias që ta distorton realitetin dhe të humbet kuptueshmërinë e gjendjes reale, së pari për vetë kandidatin.


Është e pakuptueshme të hysh në gara ku nuk të mbështet as anëtarësia respektive e qyteteve apo qarqeve prej nga vjen. Mbjellja e një fryme fituese është parakusht i domosdoshëm për çdolloj tentative të suksesshme për të synuar diçka, aq më tepër kur bëhet fjalë për një post të tillë të rëndësishëm si lider jo vetëm i një partie, por i opozitës në përgjithësi.


Akoma më i pakuptueshëm bëhet insistimi në 'respektimin e standardeve demokratike' brenda PS-së nga selia blu. Që në muajin prill në këtë të fundit i ka mbaruar mandati kryetarit aktual dhe thuajse gjithë strukturave të tjera partiake. Pra, qeveriset me "të komanduar" që nuk kanë legjitimitetin e votës. Për habi, kjo nuk shqetëson kërrkënd nga mediatikët e përnatshëm.


Po ashtu, është i habitshëm edhe fakti që askujt nga kryetarëve të përjetshëm të partive të vogla nuk i është kërkuar një test përgjegjshmërie politike i ngjashëm në partitë e tyre alla-shpk, të cilat i drejtojnë prej vitesh, humbje pas humbjeje dhe pa asnjë lloj përgjegjshmërie publike.


Apo vëmendja e cekët kushtuar faktit që në zhvillimet e ditëve të fundit, jo pak, por dy nënkryetarë partie dhe 3 anëtarë të tjerë me mjaft peshë, dolën kundër pazarit të radhës në politikën shqiptare, bash në momentin ku mund të heshtnin dhe të përfitonin kollaj nga thelat e shpërndara andej-këndej.


Nëse vërtetë do kishte një shqetësim real për fatet e demokracive partiake në vend, duheshin bërë analiza të thella të këtyre fenomeneve dhe jo të ndiqen dy standarde dhe të skrutinohet norma e demokracisë në mënyrën më vulgare "brenda PS-së".
Sado analiza të bësh e të ribësh, mbështetja popullore mbetet për liderë që jo vetëm flasin, por edhe punojnë dhe që jo vetëm broçkullisin, por edhe inspirojnë.


Dhe ia vlen të ndalemi bash në këtë pikë, pasi kohët e fundit janë shtuar shumë diskutimet në lidhje me të qenit lider dhe çfarë përfaqëson lidershipi i vërtetë. A është lider p.sh., dikush që thjesht frekuenton shpesh studiot televizive dhe është i zoti në punë kulisash?


Apo është diçka përtej kësaj? Diçka që kërkon edhe mbjelljen e një fryme të caktuar, manifestimin e qartë të mirëmenaxhimit dhe efikasitetit në qeverisje, fitoren e garave individuale dhe aftësinë për të komunikuar me grupe të ndryshme shoqërore?


Nuk ka dyshim që, qoftë teorik, qoftë në një vështrim empirik krahasues, si diakronik, ashtu dhe sinkronik, të qenit lider nuk është diçka që gdhihesh një mëngjes dhe zbulon se e paske si vokacion, nuk është thjesht dhe vetëm të reklamuarit se do jesh një 'primus inter partes', dikush i përafërt me të qenit thjesht dhe vetë drejtues mbledhjesh.


Të qenit lider kërkon të inspirosh ata që besojnë tek ty, të kesh kredibilitetin që ta jep historiku i kontributeve dhe të dish të drejtosh me siguri, vetëbesim dhe përkushtim. Sot nevojitet një opozitë e fortë, dinamike dhe me integritet, në pritje për të fituar bindshëm në zgjedhjet e ardhshme, që për shumë faktorë informues, nuk do të zhvillohen pas katër vitesh, por shumë më shpejt.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›