E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Ja arsyet se pse dhashë dorëheqjen

Arben Malaj deklaroi dje se mungesa e debatit dhe anashkalimi i analizës së zgjedhjeve, ishin ndër arsyet që e çuan në dorëheqje


TIRANË - Mungesa e hapësirës për të zhvilluar një debat idesh, anashkalimi i analizës për rezultatin e zgjedhjeve dhe rikandidimi i Edi Ramës, janë disa nga arsyet, për të cilat, Arben Malaj deklaroi dje se dha dorëheqjen nga gara për kryetar të Partisë Socialiste.


Në daljen e parë publike pas Kongresit të Jashtëzakonshëm, ish-ministri i Financave në qeverisjen socialiste, i shoqëruar dhe nga mbështetësit e tij në këtë forcë, ka shpjeguar për mediat arsyet e largimit nga konkurrimi për kreun e PS-së, ku natyrisht nuk ka kursyer edhe akuzat e forta kundrejt kryetarit në detyrë të kësaj force, Edi Rama, si nxitës të një fryme agresiviteti në radhët e socialistëve.


Kështu, Malaj, në listën e gjatë të shkaqeve që e çuan në këtë vendim të paralajmëruar edhe më parë, përfshin së pari se në parti nuk pati vend për të bërë një debat dhe për të shprehur një vizion, sesi kjo forcë dhe e majta në përgjithësi mund të dalë nga kjo situatë e vështirë që u finalizua me zgjedhjet e 28 qershorit dhe zhvillimet që pasuan më pas.


Një tjetër shkak që vetë Malaj e cilëson nga më të fortët, është edhe mungesa e një analize për rezultatin e munguar të zgjedhjeve, të cilat sipas tij nuk u humbën vetëm për shkak të vjedhjes nga kundërshtari, por edhe për disa shkaqe të brendshme, për të cilat natyrisht ai akuzoi kreun në detyrë të PS-së, Edi Rama. "Nuk ka vullnet dhe nuk u bë analizë e shkaqeve edhe vetë brenda PS-së, përse ne humbëm dhe nuk u bëmë dot fitues", - u shpreh Malaj.


Por këto duket se hyjnë tek arsyet subjektive, pasi shkaku që i vuri vulën kësaj vendimmarrje të Malajt ka të bëjë pikërisht me shpalljen e kandidaturës së Ramës për një mandat të ri katërvjeçar si kryetar i PS-së.


Një rikandidim i tillë, sipas Arben Malajt, cenon rëndë legjitimitetin e garës në parti, aq më shumë që, sipas tij, ajo bie në kundërshtim me normat statutore.


Një tjetër arsye, sipas Malajt, lidhej edhe me fjalën që mbajti Rama në kongres gjatë prezantimit të platformës së vet garuese. Sipas tij, Rama nuk respektoi mendimin ndryshe, por u përpoq që të denigrojë kundërshtarët politikë brenda partisë.


"Konstatova një qëndrim deri armiqësor ndaj mendimit ndryshe të kolegëve të mi të Partisë Socialiste", - tha Malaj, i cili në të njëjtën kohë shprehu keqardhje edhe për ata kolegë socialistë, të cilët nuk e mbështetën në këtë debat. Në përmbyllje të gjithë këtij komenti, ai ka evidentuar faktin se PS-ja po rrëshqet drejt një radikalizimi të skajshëm.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›