Fier, mbyll siparin festivali i 10-të ndërkombëtar i aktrimit

Edicioni i 10-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit "APOLLON 2011’mbylli siparin mbrëmjen e së hënës me shfaqjen e trupës së teatrit "Anton Pann" nga Rumania dhe ndarjen e çmimeve.
Një nga surprizat e natës së fundit të festivalit ishte zhvendosja e skenës së teatrit në qytetin antik të Apolonisë. Artistët dhe publiku shijuan shfaqjen e fundit dhe ndarjen e çmimeve në skenën antike.
Aktorja e njohur shqiptare Margarita Xhepa mori çmimin si aktorja më e mirë protagoniste, po ashtu edhe aktorja greke Despoina Sarafeidou. Çmimin e aktorit më të mirë protagonist e fitoi aktori rumun Romul Moruan. Çmimin për aktorin dhe aktoren jo protagonistë e morën Fatmir Xhelili i trupës së Fierit dhe Klea Konomi, vajza e aktores së njohur Hajrie Rondo.
Festivali përveç gjallërimit të jetës kulturore-artistike u shndërrua në një shkollë ku u përcollën potencialet më të mira artistike dhe u shkëmbyen përvojat mes trupave teatrale.