E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, në alarm banorët pranë lumit Vjosë

SHIRAT/ Reshjet e shumta të rëna ditët e fundit kanë shkaktuar panik dhe marrje të masave urgjente në qarkun e Fierit

FIER - Alarmohen banorët që kanë ndërtuar banesat e tyre buzë lumit Vjosë. Shirat e dendur dhe me intensitet që kanë rënë gjatë gjithë natës dhe në vazhdim në jugun e Shqipërisë, sidomos në zonën e Gjirokastrës, kanë bërë që lumi Drino, i cili bashkohet me lumin Vjosë, të dalë nga shtrati, duke rrezikuar seriozisht nga prurjet edhe daljen e lumit Vjosë të dalë nga shtrati. Rrezikun më të madh e kanë ndier banorëte Ferrasit të komunës Levan, si dhe ato të fshatit Pishporo, të cilat akoma edhe sot i ndiejne pasojat e vitit të kaluar, ku dalja e këtij lumi shkaktoi dëme të konsiderueshme në materiale dhe toka të përmbytura. Pikërisht duke parë këtë rrezik, dhjetëra banorë kishin dalë anës lumit për të parë situatën në vend. Së bashku me ta ishte edhe prefekti i Fierit, Shahin Bejdaj. Ai u ishte drejtuar banorëve disa orë me parë nëpërmjet medies lokale, si dhe në takimin që u bë anës lumit, ku prefekti kishte shkuar për të parë nga afër situatën që të merrnin masa urgjente për t’u larguar nga banesa. Sipas tij, informacionet që ai kishte nga Gjirokastra tregonin se gjendja do të përkeqësohej më tepër në orët e natës dhe në këto kushte të gjithë banorët e Ferrasit, sidomos ata që u prekën nga përmbytjet e vitit të kaluar, duhet të largoheshin dhe të mos e kalonin natën në shtëpitë e tyre. Gjithsesi, deri në orën 19:30 lumit Vjosë i duheshin edhe rreth 60 centimetra për të dalë nga shtrati. Shumë prej banorëve janë larguar për të marrë masat, ndërsa të tjerë më të guximshëm prisnin që niveli të kalonte shtratin e lumit.

Mungesa e energjisë

Ndërkohë, disa lagje të qytetit të Fierit dhe rrethina të tij mbetën për 12 orë pa energji elektrike. Defekti ndodhi mesnatën e së mërkurës dhe u rregullua të enjten në mesditë. Përfaqësues të OSSH-së bënë të ditur se shkaku i djegies së fiderave kryesore në nënstacionin nr.1 të të qytetit kanë qenë si pasojë e reshjeve të mëdha të rëna gjatë natës që vazhduan me intensitet edhe dje. Ndërkohë në këtë qytet ndërprerjet e energjisë kanë qenë të vazhdueshme përgjatë gjithë muajit dhjetor. Banorët e kësaj zone vazhdojnë ankesat për mungesat, megjithatë OSSH-ja e Fierit shprehet se i është përgjigjur defekteve, remonteve në rrjet, si dhe kohës së keqe.

Vjosa, Drino, Semani e Osumi, rrezik për banorët

Në orët e mbrëmshme u vlerësua se përveç Vjosës, Drinos dhe Semanit, edhe lumi Osumi kishte dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në Çorovodë. Të kontaktuar lidhur me këtë fakt, burime zyrtare të qarkut të Beratit bënë të ditur se ujërat e Osumit kishin dalë nga shtrati në fshatin Çepaj duke shkaktuar përmbytje. “Megjithatë, intensiteti i shiut ka rënë”, u shprehën mbrëmë për gazetën “Shekulli” burimet zyrtare. Bëhet e ditur se nga dalja e ujërave nuk janë shkaktuar dëme materiale apo në njerëz, përveç faktit që është bllokuar një pjesë e rrugës, në një kohë që po punohej për zhbllokimin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›